Kina “tregon dhëmbët” në Paqësor, sfidon SHBA-në me aftësitë e saj ushtarake
Testimi i një rakete balistike ndërkontinentale nga Kina në Paqësorin Jugor ka rritur shqetësimet e vendeve të rajonit dhe ka rikthyer debatin mbi garën ushtarake në Azi-Paqësor.
Sipas agjencisë shtetërore kineze Xinhua, raketa u lëshua nga një nëndetëse me energji bërthamore në ujëra ndërkombëtare dhe barte një kokë luftarake artificiale. Autoritetet kineze e cilësuan testin të suksesshëm dhe thanë se vendet bregdetare ishin njoftuar paraprakisht.
Reagimet ndërkombëtare ishin të menjëhershme. Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Ëong, e cilësoi testin destabilizues për sigurinë rajonale, ndërsa Japonia i kërkoi Pekinit të rishqyrtojë veprimet e tij. Edhe Zelanda e Re shprehu shqetësim, duke deklaruar se Paqësori Jugor nuk duhet të shndërrohet në një zonë testimi për armë me kapacitet bërthamor.
Ekspertët ushtarakë kinezë besojnë se raketa e testuar ishte Julang-3 (JL-3), një raketë balistike ndërkontinentale e lëshuar nga nëndetëset, e cila është ende në fazë zhvillimi. Ajo pritet të ketë një rreze veprimi deri në 12 mijë kilometra dhe aftësi për të mbajtur disa koka bërthamore.
Sipas analistëve, kjo armë është projektuar për të goditur objektiva strategjikë, si qendra komanduese, baza ushtarake dhe infrastrukturë kritike, duke forcuar aftësinë parandaluese bërthamore të Kinës. Mendohet se raketa është lëshuar nga një nëndetëse bërthamore e klasës Jin (Type 094), e aftë të qëndrojë nën ujë deri në 70 ditë.
Kina zotëron gjashtë nëndetëse të këtij lloji, të cilat konsiderohen pjesë kyçe e strategjisë së saj të kundërpërgjigjes bërthamore, pasi mund të operojnë në fshehtësi dhe të kryejnë sulme edhe në rast se forcat e tjera ushtarake neutralizohen. Ky është testi i dytë i rëndësishëm i një rakete ndërkontinentale kineze në Paqësorin Jugor brenda më pak se një viti.
Në shtator 2024, Pekini testoi një raketë me rreze të gjatë veprimi që përfundoi në një zonë të caktuar pranë Polinezisë Franceze, në provën e parë të këtij lloji në ujëra ndërkombëtare pas më shumë se katër dekadash.
Analistët vlerësojnë se këto zhvillime janë pjesë e përpjekjeve të Kinës për të sfiduar arkitekturën e sigurisë në Paqësor, e cila dominohet prej dekadash nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre. Pekini synon të forcojë aftësinë për t’iu përgjigjur çdo sulmi dhe të rrisë ndikimin e tij ushtarak në rajon, edhe pse vazhdon të deklarojë se nuk do të jetë i pari që do të përdorë armë bërthamore.

