10:08 / E Hënë, 20 Janar 2020 / indeksADMonline

Kinë, koronavirusi i ri përhapet me shpejtësi, konfirmohen 139 raste të reja

Një virus misterioz i ngjashëm me Sarsin është përhapur në Kinë, ndërsa autoritetet thanë të hënën se ishte përfshirë edhe Pekini, duke shkaktuar frikën e një shpërthimi të madh teksa miliona njerëz nisin udhëtimet për Vitin e Ri (hënor) kinez.

Shfaqja e re e koronavirusit, e zbuluar në qytetin qendror të Wuhan, ka shkaktuar alarm për shkak të lidhjes së saj me sindromën e rëndë akute të frymëmarrjes (Sars), e cila vrau gati 650 njerëz në të gjithë territorin e Kinës dhe Hong-Kongut në 2002-2003.

Wuhan ka 11 milionë banorë dhe shërben si një qendër kryesore e transportit, përfshirë gjatë festës vjetore hënore të vitit të ri që fillon më vonë këtë javë dhe ku qindra miliona kinezë udhëtojnë nëpër të gjithë vendin për të vizituar familjet.

Asnjë transmetim njeri-njeri nuk është konfirmuar deri tashti, por autoritetet kanë thënë më parë se kjo mundësi “nuk mund të përjashtohet”.

Një person i tretë u konfirmua se kishte vdekur dhe në Wuhan 136 raste të reja u gjetën në fundjavë, tha Komisioni lokal i shëndetësisë.

Tri raste janë raportuar jashtë shteti, dy në Tajlandë dhe një në Japoni. Të hënën, media e Koresë së Jugut tha se një grua që kishte udhëtuar nga Kina ishte testuar pozitive për virusin.

Gjithsej 201 persona janë diagnostikuar me virusin në Kinë.

Një treg ushqimesh deti besohet të jetë qendra e shpërthimit, por zyrtarët shëndetësorë kanë raportuar se disa pacientë nuk kishin pasur kontakt me këtë vend.

Shkencëtarët me qendrën MRC për Analizën Globale të Sëmundjeve Infektive në Imperial College, në Londër, paralajmëruan në një letër të botuar të premten se numri i rasteve në qytet ka të ngjarë të jetë rreth 1.700, shumë më i lartë se numri i identifikuar zyrtarisht.

Autoritetet në Hong- Kong kanë rritur masat e zbulimit, përfshirë pikat e kontrollit të temperaturës për udhëtarët që hyjnë nga kontinenti kinez.

Shtetet e Bashkuara thanë që nga e premtja do të fillonte kontrollimin e fluturimeve direkte që vijnë nga Wuhan në aeroportin e San Francisko dhe JFK të Nju Jorkut, si edhe Los Angeles, ku lidhen shumë fluturime.