75 Mall Live Search
17:51 / E Premte, 19 Mars 2021 / Blerim

Kinë, përfundon gjyqi për “spiunin” kanadez

Një gjykatë në Kinë ka përfunduar seancën dëgjimore në çështjen e spiunazhit kundër shtetasit kanadez Michael Spavor, raportuan mediat lokale.

Gjykata tha se vendimin do të shpall më vonë, sipas kanalit të lajmeve “CGTN”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Seanca u mbajt në gjykatën e qytetit Dandong në verilindje të provincës Liaoning, ndërsa Spavor mori pjesë personalisht.

Biznesmeni Spavor dhe ish-diplomati Michael Kovrig janë burgosur në Kinë që nga arrestimi i tyre mbi dy vjet më parë.

Që të dy po përballen me akuza për spiunazh dhe sigurim të paligjshëm të sekreteve shtetërore.

Arrestimet e tyre u konsideruan gjerësisht si hakmarrje për ndalimin në Kanada të zyrtares së lartë ekzekutive të Huawei-t, Meng Wanzhou, në dhjetor të vitit 2018 me kërkesë të SHBA-së, e cila e akuzoi atë për shkeljen e sanksioneve ndaj Iranit.

Ajo mbetet në arrest shtëpiak në Kanada mes një lufte të vazhdueshme kundër ekstradimit në SHBA.

Kina refuzon të pranojë që arrestimi nga ana e saj të dy shtetasve kanadezë ishte i lidhur me çështjen Meng.

Pekini pretendon se ndalimi i saj është një “çështje politike” dhe ka kërkuar nga Otava të mbyll çështjen dhe ta lirojë atë.