22:18 / E Premte, 29 Prill 2022 / MSH

Kirby: SHBA po trajnon forcat ukrainase në Gjermani

SHBA ka filluar trajnimin shtesë për forcat e armatosura ukrainase në instalimet ushtarake amerikane në Gjermani. Lajmin e bëri të ditur Departamenti amerikan i Mbrojtjes.

“Këto përpjekje bazohen në stërvitjen fillestare të artilerisë që forcat e Ukrainës tashmë kanë marrë diku tjetër, dhe gjithashtu përfshijnë trajnimin mbi sistemet e radarëve dhe automjetet e blinduara që janë njoftuar së fundmi si pjesë e paketave të ndihmës për sigurinë,” tha sekretari i shtypit i Pentagonit, John Kirby në një konferencë me gazetarët.

Kirby tha se Gjermania është një nga “përafërsisht tre” vendet që përdoren nga SHBA për të trajnuar ukrainasit jashtë Ukrainës, por shtoi se nuk mund t’i zbulonte të tjerat.

Ai tha gjithashtu se “pjesa më e madhe e trajnimit” do të kryhet nga Garda Kombëtare e Floridës, e cila ka trajnuar ukrainasit përpara se të ripozicionoheshin jashtë Ukrainës në shkurt, përpara pushtimit rus.

“Ribashkimi i fundit tani i këtyre anëtarëve të Gardës Kombëtare të Floridës me kolegët e tyre ukrainas, na thuhet, ishte një takim emocional, duke pasur parasysh lidhjet e forta që u krijuan ndërsa ata jetonin dhe punonin së bashku përpara se të ndaheshin përkohësisht rrugët në shkurt,” tha Kirby.