75 Mall Live Search
19:04 / E Premte, 28 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Kirurgët e QKUK-së s’tërhiqen nga greva, flasin pas takimit me ministrin Ismaili!

Ndonëse Këshilli Qendror Grevist i FSSHK-së ka vendosur ta pezullojë grevën deri më 3 janar, njëjtë nuk vepruan kirurgët e QKUK-së.

Ata thonë se Këshilli nuk përfaqëson interesat e tyre dhe rrjedhimisht kjo grevë nuk do të ndërpritet deri në përmbushjen e kërkesave.

Përfaqësuesi i grevistëve, doktori Arbër Morina ka treguar për “Indeksonline” se as pas dy orësh e gjysmë takim me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, për ndërprerjen e grevës nuk kanë arritur kurrfarë marrëveshje për ndërprerje e grevës.

Kjo, sipas tyre, nuk kishte asnjë ofertë konkrete nga ana e Ministrisë përgjegjëse.

Kësaj greve i janë bashkangjitur rreth 160 kirurgë të të  gjitha Klinikave të QKUK-së. Po ashtu, pjesë e mbështetjes ishin edhe kolegët e tyre nga Spitali i Gjilanit dhe Gjakovës.

Kërkesa e tyre e vetme është që pagat e tyre të jenë ‘të dinjitetshme’ dhe të jenë të barasvlershme me prokurorët dhe gjyqtarëve.

“Nuk kemi arritur në asnjë konkluzion. Ligji aktual që pritet mu miratu do t’i rris pagat e mjekëve, por kjo nuk është e vërtetë. Koeficienti ishte 5 e ne kemi kërkuar të jetë 9”, u shpreh ai.

Ndryshe, Morina konfirmoi se të hënën pritet që të deklarohen rreth vazhdimit apo jo të kësaj greve. /Indeksonline/