Kirurgu, thotë se i lënduari nga shpërthimi në Al Petrol, është në gjendje kritike
Edhe pas intervenimit kirurgjik në gjendje kritike për jetë vazhdon të jetë njëri prej katër personave të lënduar në shpërthimin i cili ndodhi sot në bazën e rezervuarve të derivateve të “Al Petrol” në Fushë-Kosovë.
Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline, mjeku Adem Kllokoqi i cili ka kryer operimin e personit të lënduar në QKUK.
“Është një djegie e rëndë, është një sipërfaqe prej 80 për qind. Pra nuk është djegie sipërfaqësore por është djegie e thellë dhe është i rrezikuar për jetë. Edhe po të jetë në qendrën më të madhe në botë për trajtimin e djegieve ajo që kemi bërë në sallë të operacionit nuk bëhet ndryshe”, ka thënë Kllokoqi.
Sipas kirurgut tani pas operimit personi në fjalë është nën kujdesin intensiv në QKUK.
“Të hënën kemi planifikuar intervenimin e radhës, më pas do të shohim si do të shkojnë gjërat”, ka thënë Kllokoqi. /Indeksonline/