75 Mall Live Search
14:37 / E Mërkurë, 22 Tetor 2025 / MSH

“Kisha mujtë me i identifiku të gjithë…”/ Dëshmitari përgjigjet në pyetjet për të akuzuarin për krime lufte

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin për Krime të Rënda, po mbahet seanca e radhës ndaj të akuzuarit Srdjan Lazoviq, i cili po gjykohet për krime lufte kundër popullatës civile.

Gjatë seancës së sotme dëshmuan dëshmitarët Ramadan Bacaj dhe Zaim Gashi, të cilët rrëfyen në detaje për torturat fizike dhe psikologjike që pretendojnë se u janë shkaktuar nga i akuzuari gjatë luftës në Kosovë.

Nga trupi gjykues, dëshmitarët u pyeten rreth ditës kritike, nëse e kanë njohur të akuzuarin dhe se me kë ka qenë bashkë kur u sulmuan.

“Jo, nuk e kam njohur. Atë ditë e kam parë për herë të parë. Diku 7-8 persona na kanë sulmuar. Nëse i kisha pa, kisha mujtë me e identifiku secilin prej tyre” tha njëri nga dëshmitarët.

Tjetri ka përshkruar se si janë ndarë në grupe nga serbët.

“Neve nuk na ka mbetë tjetër gjë vetëm të presim momentin kur po vijnë. Të gjithë ata që kanë qenë të moshës 16-17-18 vjeçare, iu kanë thanë të shkojnë pak më poshtë në një livadh. Gra, fëmijë, pleq, të moshuar, iu kanë thënë të shkojnë te disa shtëpia, që nuk ishin larg… Diku në orët e mbrëmjes na kanë dërgu deri te shkolla, që ishte në mes te fshatit” deklaroi tjetri dëshmitar.

Lazoviq u arrestua në qershor të vitit të kaluar, në Leposaviq.

Ai akuzohet për krime lufte në vitin 1999, në rajonin e Gjakovës.