20:02 / E Martë, 15 Mars 2022 / SH F

Kishte intervistuar një ukrainas, kërcënohet me vdekje në Serbi gazetari Miljko Stojanoviq

Gazetari dhe korrespondenti i të përditshmes serbe “Danas”, Miljko Stojanoviq ka marrë kërcënime me vdekje në rrjetin social Facebook, pasi ka intervistuar një ukrainas të arratisur nga Lvivi.

Sipas Safe Journalists dhe Asociacionit të Gazetarëve serb të Pavarur, rasti është raportuar në polici dhe është identifikuar dhe ndaluar njëri nga personat që kanë kërcënuar gazetarin.

Më 8 mars, gazeta “Danas” kishte publikuar artikullin “Një ukrainas nga Lviv që erdhi në Serbi: Nuk dua të vras ​​njerëz”, i cili përshkruante rrëfimin e një njeriu të arratisur nga agresioni rus në Ukrainë.

Menjëherë pas këtij lajmi, gazetari Stojanoviq kishte marr kërcënime dhe ofendime të shumta në Facebook.

Ai thotë se nuk ndihet i sigurt dhe se ka frikë të madhe, duke shtuar se nuk ka marrë asnjë mbrojtje nga policia serbe dhe nuk e pret këtë.

Lidhur me këtë kërcënim ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, duke thënë se nuk duhet të lejohet që të heshtet zëri i së vërtetës për ngjarjet në Ukrainë.

“Nuk duhet të lejojmë që kërcënimet dhe provokimet të heshtin zërin e së vërtetës për ngjarjet në Ukrainë. Ne qëndrojmë pranë Stojanoviqit dhe gazetarëve të tjerë serbë që e bëjnë punën e tyre me guxim dhe profesionalizëm”, thuhet në reagim.

Po ashtu, për këtë veprim ka reaguar edhe analistja amerikane Ivana Stradner duke u shprehur se të të qenurit gazetar në Serbi është e rrezikshme.

“Fatkeqësisht, të jesh gazetar në Serbi është një profesion shumë i rrezikshëm. Një gazetar që intervistoi një ukrainas mori kërcënime me vdekje”, ka theksuar Stradner.

Kujtojmë se sipas raporteve të fundit për lirinë e medies, Serbia është paraqitur autoritare karshi gazetarëve dhe raportimeve të pavarura.

Në një shkrim të New York Times, televizioni në Serbi është bërë aq i njëanshëm në mbështetjen e presidentit Aleksandar Vuçiqi sa që vendi është “bërë një eksperiment i madh sociologjik për të parë se sa larg dhe në çfarë mase media përcakton opinionin publik dhe zgjedhjet”.

Përkrahësit e qeverisë drejtojnë pesë kanale të mëdha televizive në Serbi, duke përfshirë shërbimin publik të dyshuar neutral RTS