Kishte luajtur me Vokrrin, legjenda turke Ozdemir: Turqia është e fortë si mysafir, kemi më shumë përvojë!
Para ndeshjes finale të playoffit mes Kosovës dhe Turqisë në “Fadil Vokrri”, legjenda e futbollit turk dhe ish-trajneri i Fenerbahçes, Hasan Ozdemir për Indeksonline.net, ndau mendimet e tij për gjendjen e ekipeve dhe sfidën që po i pret të dyja kombëtaret.
Në lidhje me zhvillimin e futbollit në të dy vendet, Ozdemir tha se:

“Turqia dhe Kosova janë ekipe që kanë shënuar përparim të madh gjatë viteve të fundit. Të dyja ekipet kanë lojtarë të rinj dhe të talentuar që luajnë në Europë, kështu që janë të përgatitura për këtë ndeshje.”
Duke folur për ndryshimet në stilin e Kombëtares së Turqisë që nga vitet ’90, ai theksoi:
“Futbolli është një lojë që ndryshon vazhdimisht dhe zhvillohet. Krahasimi me atë kohë nuk do të ishte i drejtë, pasi kushtet kanë ndryshuar – fitimet, stadiumet, pajisjet dhe përgatitjet fizike dhe taktike. Sot kemi një ekip të ri dhe dinamik, shumica e të cilëve luajnë në klube të mira evropiane, që është një avantazh i madh.”
Për atmosferën në “Fadil Vokrri”, Ozdemir komentoi:
“Nuk do të jetë e lehtë të luash në një stadium si ai i Kosovës, por duhet të kujtojmë që Kombëtarja e Turqisë ka 6 fitore dhe vetëm 1 humbje në 7 ndeshje jashtë vendit. Pra, kemi një ekip që performon mirë në transfertë. Për më tepër, i shprehim respekt dhe lutje për shpirtin e Fadil Vokrrit, të cilin e kam respektuar shumë dhe kemi luajtur bashkë në të njëjtin ekip.”

Rreth rolit të Vedat Muriqit në këtë finale, Ozdemir tha:
“Muriqi është një lojtar i talentuar dhe ambicioz, që tashmë ka luajtur te Fenerbahçe dhe është transferuar në Spanjë. Ai është golashënues i efektshëm, por edhe ne kemi mbrojtës me përvojë dhe shumë të aftë që mund ta ndalojnë.”
Ai gjithashtu vuri në dukje cilësitë e lojtarëve të Kosovës:
“Është e qartë që ka shumë lojtarë të talentuar në Kosovë, pasi kanë arritur finalen e playoffit dhe janë duke luftuar për Kupën e Botës. Muriqi është një prej emrave që e njoh më mirë.”
Duke bërë një parashikim për rezultatin e ndeshjes, Ozdemir tha:

“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë dhe të dy ekipet do të luajnë me kujdes. Por ne jemi një ekip me përvojë që i pëlqen sfidat e vështira, kështu që shanset tona për fitore janë më të larta. Sigurisht, Kosova është një ekip i mirë dhe, pavarësisht rezultatit, shpresoj që miqësia të mbizotërojë.”
Ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri”. Kush e fiton finalen shkon në Kupën e Botës./Indeksonline/ Granit Tërstena/

