75 Mall Live Search
14:30 / E Shtunë, 27 Dhjetor 2025 / F.R

“Kjo është alarmante për shëndetin publik”, Gazmend Syla ngrit një shqetësim publik

Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Syla, ka publikuar një video ku ka ngritur një shqetësim serioz lidhur me deponinë e grumbullimit të mbeturinave në Pejë.

Syla thekson se kjo deponi nuk shërben vetëm për Komunën e Pejës, por edhe për komunat përreth, duke u kthyer në një problem të madh për banorët lokalë dhe për të gjithë qytetarët që kalojnë pranë saj.

“Për banorët dhe për të gjithë ata që kalojnë përreth kësaj deponie, kjo është një shqetësim i madh për shkak të erës dhe tymit. Deponia vazhdon të digjet që nga muaji shtator i këtij viti”, shprehet Syla.

Ai e cilëson situatën si alarmante për shëndetin publik dhe premton se, nëse merr besimin e qytetarëve në zgjedhjet e 28 dhjetorit, këtë çështje do ta ngrejë në nivelin më të lartë institucional.

“Nëse i marr besimin qytetarëve në këto zgjedhje, ky shqetësim do të ngritet në institucionin më të lartë të vendit, në Parlamentin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Syla.

Gazmend Syla në këto zgjedhje kandidon për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me numrin 80 në listën zgjedhore./IndeksOnline/