Kjo është gjendja e dy personave që humbën sot në Strazh

Po bënin hiking me një grup turistësh, por dy persona u ndanë nga grupi duke rezultuar si të zhdukur për orë të tëra.
IndekSonline raportoi për zhdukjen e tyre, ku bëhej fjalë për një femër dhe një mashkull.
Por, me angazhimin e Policisë, FSK-së dhe ekipeve të shpëtimit personat në fjalë janë gjetur në Luboten.
Gjetjen e tyre e ka konfirmuar Klubi Albin Prishtina, të cilët e kanë organizuar ecjen, ndërsa përmes një postimi në faqen zyrtare Facebook të njëjtit kanë thënë se gjendja e dy personave që humbën është e mirë.
“Ju njoftojmë se janë gjetur dy personat e humbur në malet e Lubotenit. Janë plotësisht në gjendje të mirë dhe pas pak nisemi për Prishtinë. I falënderojmë Policinë e Kosovës, Ekipin e FSK, punonjësit e Pylltarisë së Kaqanikut, si dhe gjithë ata që kontribuuan në këtë kërkim/shpëtim”.
Ndryshe, lidhur me këtë rast Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë, duke treguar se të dy ishin ndarë nga grupi me të cilët po ecnin rreth orës 14:00, raporton Indeksonline.
“Dy persona që ishin pjesë e një grupi për ‘Hiking’, në fshatin Strazh të Kaçanikut sot rreth orës 14:00 janë ndarë prej grupit të tyre. Bëhet fjalë për një femër dhe një mashkull. Ata deri vonë kanë pasur kontakt me telefon me grupin, por më pas është ndërprerë kontakti”, ka thënë zëdhënësi i policisë për Rajonin e Ferizajt, Agim Gashi.
Ai poashtu tha se pjesëtarët e grupit dyshojnë se dy personave në fjalë ju është harxhuar bateria e telefonit.
“ Grupi këtë rast e ka lajmëruar në polici rreth orës 18:00”, ka thënë Gashi.Indeksonline/
(Foto Ilustrim)