75 Mall Live Search
16:20 / E Premte, 20 Janar 2023 / AR

Kjo është gjendja në shkolla pas reshjeve të fundit në Kosovë

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton se, për shkak të reshjeve të mëdha në vendin tonë, të cilat kanë sjellë vërshime në disa komuna, është pamundësuar mbajtja e procesit mësimor në disa shkolla.

Zyrtarët e MAShTI, të premten, kanë qëndruar në disa shkolla për të parë nga afër gjendjen e krijuar për shkak të reshjeve, si dhe dëmet e shkaktuara në objekte shkollore.

MAShTI është duke e përcjellë me kujdes të veçantë situatën dhe është në kontakt të vazhdueshën me institucionet përgjegjëse për menaxhimin e situatave emergjente, si dhe me drejtorët e DKA-së, për t’u informuar në detaje për çdo zhvillim në komunën e tyre.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, komunat të cilat nuk kanë mbajtur mësim sot dhe kanë pësuar dëme për arsye të reshjeve të shiut janë:

1. Podujevë: Mësimi nuk është zhvilluar në fshatin Pakashticë dhe në fshatin Peran.

2. Viti: Në katër fshatra të Vitisë ka dëme të çative në shkolla, mirëpo mësimi është duke u mbajtur.

 3. Mitrovicë: Mësimi nuk është mbajtur në asnjë shkollë, si arsye e dëmeve dhe vërshimeve që janë krijuar nga të reshurat.

 4. Skënderaj: Mësimi nuk është mbajtur në asnjë shkollë, si arsye e dëmeve dhe vërshimeve që janë krijuar nga të reshurat.

 5. Pejë: Mësimi nuk është mbajtur në fshatin Kliqinë, ndërsa në fshatrat tjera deri më tash nuk ka probleme.

6. Istog: Mësimi nuk është mbajtur në shkollën “Avni Rrustemi”, kurse dëme të mëdha ka edhe në shkollat tjera, por mësimi është zhvilluar.

7. Klinë: Mësimi nuk është mbajtur në asnjë shkollë të kësaj komune, si arsye e dëmeve dhe vërshimeve që janë krijuar nga të reshurat.

8. Zubin Potok: Mësimi nuk është duke u mbajtur në asnjë shkollë, si arsye e dëmeve.

Komunat të cilat raportuan që nuk kanë dëme dhe mësimi është mbajtur në të gjitha shkollat janë: Prishtinë, Fushë Kosovë, Drenas, Ferizaj, Shtime, Lipjan, Hani i Elezit, Kaçanik, Gjakovë, Rahovec, Malishevë, Gjilan, Kamenicë, Novobërdë, Vushtrri, Deçan, Prizren, Suharekë, Junik, Dragash, Mamushë, Leposaviq, Zveçan.