Kjo është gjendja shëndetësore e dy të plagosurve në Pejë

Një incident ka ndodhur sot rreth orës 16:10, pranë Gjykatës Themelore në Pejë.
Dy persona u plagosën si pasojë e të shtënave me armë zjarri, që i shkaktoi një i dyshuar.
Ky i fundit, pak çaste pasi kreu krimin, u arrestua nga njësitet policore.
Burimet e IndeksOnline kanë pohuar se një nga të plagosurit aktualisht gjendet në sallën e operacionit, ndërsa tjetri është bartur me autoambulancë në drejtim të QKUK-së, në Prishtinë.
Përmes një njoftimi për media Spitali ka njoftuar se të plagosurit janë nën kujdes intensiv mjekësor.
“Sot pasdite në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë kemi pranuar dy persona të plagosur me armë zjarri.Ata janë duke u trajtuar në Spitalin tonë dhe aktualisht janë nën kujdesin e ekipit tonë mjekësor kujdestar, ndërsa po kryhen ekzaminimet dhe ndërhyrjet e nevojshme.Të plagosurit janë nën kujdes intensiv mjekësor dhe për çdo zhvillim të ri do të ju mbajmë të informuar”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës.
Nga ana tjetër, rreth rastit ka ndarë detaje edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.
“Një person ka gjuajtur me armë zjarri afër Gjykatës. Nga të shtënat e armës së zjarrit janë lënduar rëndë dy persona, të cilët sipas informatave janë në gjendje të rëndë.
Policia e Kosovës ka qenë efikase ku menjëherë në vendin e ngjarjes ka arrestuar personin e dyshuar. Aktualisht po kryhen veprimet hetimore në vendin e ngjarjes, nga njësitet relevante” deklaroi Nikçi për IndeksOnline.