11:22 / E Martë, 02 Prill 2019 / indeksADMonline

Kjo është gruaja e cila nuk ndjen asnjëherë dhimbje

71 vjeçarja Joanne Cameron ka përjetuar të prera, të djegura, kocka të thyera, lindje fëmije dhe madje operacione të vështira pa ndjerë asnjë dhimbje. Prej kohësh mjekët kanë hulumtuar organizmin e saj dhe kanë zbuluar tek ajo një mutacion gjenetik, falë të cilit Cameron nuk ka  ndjerë asnjë dhimbje gjithë jetën e saj.

Sekreti i saj është zbuluar pas një punë studimore të universiteteve Oxford dhe College të Londrës, të cilët kanë gjetur origjinën e mutacionit në dy gene të saj që janë përgjegjës për efektin ndaj dhimbjeve, humorit dhe memories. Duke u bazuar mbi ADN e saj, kërkuesit kanë nisur studime të reja të cilat mund të shërbejnë në terapi të ndryshme për të ardhmen, duke përdorur pikërisht dy genet FAAH dhe  FAAH-OUT, të pranishme në trupin e saj.

Mjekët tregojnë se ajo ka jetuar gjithë jetën e saj në një delir lumturie, optimizmi dhe qetësi shpirtërore të pashembullt dhe nuk përjeton as ndjenja frike apo ankthi.

“Je çfarë je, dhe derisa dikush ta vë në dukje, nuk vë asgjë në pikëpyetje. Isha thjesht një shpirt i lumtur që nuk e kishte kuptuar se kishte diçka ndryshe tek unë. “- është shprehur ajo për BBC News.

Ajo tha se ka kaluar pa dhimbje dy lindje, djegie që nuk i kuptoi derisa nuhati erën e djegur të lëkurës, ndërhyrje dentare pa anestezi, operacione, artrit e shumë vështirësi të tjera.