15:20 / E Premte, 15 Mars 2019 / indeksADMonline

Kjo është ndeshja më e rëndësishme e Kosovës sipas Muharrem Sahitit

Emocionet e ndeshjeve të Përfaqësueses së Kosovës në futboll janë rikthyer. Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, ditën e djeshme e ka shpallur listën e futbollistëve për dy takimet e radhës që zhvillohen në muajin mars në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Përfaqësuesja jonë fillimisht do të takohet me Danimarkën më 21 mars në një ndeshje miqësore. Pas vetëm katër ditëve “Dardanët” në të po njëjtën stadium (“Fadil Vokrri”) do të mirëpresin edhe kombëtaren bullgare, me të cilën do të luajë për kualifikueset e Kampionatit Evropian të Vitit 2020. Kjo është ndeshja e parë e Kosovës në kualifikime.

Për herë të parë te Kosova është ftuar edhe Florent Hasani, anëtar i deritashëm i Përfaqësueses U-21 dhe pjesë e skuadrës hungareze Diosgyori.

Gjithashtu janë rikthyer edhe Bersant Celina dhe Bernard Berisha, të cilët në ndeshjet e fundit nuk ishin ftuar prej trajnerit zviceran. Celina ka kaluar nëpër një formë tejet të mirë me Swansean në Championship (Liga e Dytë e Anglisë), ndërkohë që formë të mirë ka treguar edhe Berisha në Rusi te Akhmat Grozny.

Sahiti: Ndeshja më e rëndësishme për Kosovën

Ndihmëstrajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti, ka folur për dy takimet e para të Kosovës për këtë vit. “Janë ndeshje shumë të rëndësishme për ne, sidomos ndeshja eliminatore me Bullgarinë. Por nuk duhet anashkaluar as ndeshja miqësore me Danimarkën. Sfida me Danimarkën do të jetë një përgatitje për ndeshjen me Bullgarinë. Do të thotë jemi mirë. Jemi me fat që lojtarët janë në gjendje shumë të mirë dhe në formë shumë të mirë e po presim që ata ta japin maksimumin. Presin përkrahje edhe nga ‘Dardanët’ dhe nga njerëzit që e kanë përkrahur Përfaqësuesen”, ka deklaruar Muharrem Sahiti të enjten për gazetën Zëri.

Sahiti ndër të tjera thekson se ndeshja me Bullgarinë është sfida më e rëndësishme për Kosovën në fushatën kualifikuese. “Çdo lojë për eliminatore është e rëndësishme, sidomos loja e parë. Unë e vlerësoj ndeshjen me Bullgarinë si më të rëndësishmen. Është fillimi, prandaj i kisha dhënë përparësi kësaj ndeshjeje”, vlerësoi Muharrem Sahiti.

Tutje trajneri kosovar njofton se tubimi i Kosovës do të nisë ditën e hënë. “Takimi fillon të hënën, stërvitje kemi nga pasditja e së martës. Agjenda është përpiluar dhe në momentin kur vijnë lojtarët publikohet agjenda, në të cilën do të punojmë sipas saj”, potencoi Muharrem Sahiti.

Grumbullimi dhe akomodimi i futbollistëve të Kosovës do të bëhet të hënën, më 18 mars, në hotel “Emerald”. Përfaqësuesja e Kosovës në Grupin A do të ketë punë edhe me Anglinë, me Republikën e Çekisë, me Bullgarinë dhe me Malin e Zi.

Lista e futbollistëve të ftuar:

Samir Ujkani (Rizespor)

Arjanet Muriç (Manchester City)

Visar Bekaj (Prishtina)

Amir Rrahmani (Dinamo Zagreb)

Fidan Aliti (Kalmar)

Mërgim Vojvoda (Mouscron)

Benjamin Kololli (Zurich)

Leart Paqarada (Sandhausen)

Arbenit Xhemajli (Xamax Neuchatel)

Mirlind Kryeziu (Zurich)

Herolind Shala (Valeranga)

Idriz Voca (Luzern)

Hekuran Kryeziu (Zurich)

Besar Halimi (Brondby)

Valon Berisha (Lazio)

Bersant Celina (Swansea)

Bernard Berisha (Akhmat Grozny)

Arbër Zeneli (Reims)

Edon Zhegrova (Basel)

Lirim Kastrati (Lokomotiva Zagreb)

Florent Hasani (Diosgyri)

Milot Rashica (Werder Bremen)

Vedat Muriqi (Rizespor)

Atdhe Nuhiu (Sheffild Wednesday)