75 Mall Live Search
10:16 / E Martë, 28 Shkurt 2023 / AR

Kjo është pika e “nxehtë” e Planit Evropian që ngjalli reagimet e opozitës në Kosovë

Dje në Bruksel, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Palët u pajtuan për Propozimin Evropian për Normalizimin e Marrëdhënieve mes dy vendeve.

Bashkimi Evropian tashmë ka publikuar zyrtarisht përmbajtjen e këtij plani ku gjenden 11 pika, raporton Indeksonline.

Pika më e “nxehtë” e këtij propozimi është e dhjeta ku flitet për zbatimin e marrëveshjeve të kaluara të dialogut.

Neni 10

Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese”.

Marrëveshja për formimin e një asociacioni që do t’i bashkonte dhjetë komuna që banohen me shumicë nga serbët në Kosovë, cilësohet si një ndër marrëveshjet më problematike në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

E nënshkruar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në vitin 2013, marrëveshja nuk ka arritur të zbatohet asnjëherë.

Kryministri i Kosovës Albin Kurti mbrëmë pas takimit u shpreh se ishte i gatshëm ta nënshkruante këtë marrëveshje por që pala serbe nuk ishte pro nënshkrimit, ani pse pati dakordim.

Reagime të shumta pati nga opozita në Kosovë. Ata akuzuan Kurtin se në Bruksel pranoi Asociacionin e dështoi në arritjen e njohjes reciproke.

Nga LDK thanë se Kurti veçse e pranoi Asociacionin, ndërkohë që i ka mbetur vetëm ta dakordojë datën e themelimit.

Njëjtë tha edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. Ai u shpreh se Kosova humbi njohjen dhe fitoi Asociacionin.

Ndërkohë që kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e përkrahi marrëveshjen e Brukselit.

Haradinaj tha se dakordimi në Bruksel, për propozimin e BE-së, është arritje e madhe. Marrëveshja, sipas tij, është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës nga Serbia./Indeksonline/