75 Mall Live Search
09:53 / E Mërkurë, 23 Mars 2022 / OSH

Kjo komunë pritet të ndajë për herë të parë para për të porsalindurit

Për herë të parë, këtë vit komuna e Shtimes do të ndajë mjete për fëmijët e porsalindur, ndonëse komunat e tjera filluan këtë ndihmë dy vite më parë.

Kryetari i ri, Qemajl Aliu, pati premtuar se për çdo lindje në Shtime do të ndahen nga 100 euro.

E, këtë premtim pritet ta realizoj brenda vitit të parë të qeverisjes.

Në një përgjigje për IndeksOnline nga komuna e Shtimes kanë bërë të ditur se realizimi i shtesave të fëmijëve mund të bëhet në qerdhor ose në muajin shtator.

Për këtë paqartësi, sipas tyre, faji i mbetet pushtetit të kaluar, pasi lanë mbrapa një buxhet të vogël në pamundësi ndërhyrjeje.

“Sa i përket pyetjes suaj, siç tashmë dihet ne si qeverisje e re e kemi gjetur një buxhet të trashëguar nga qeverisja e kaluar komunale dhe natyrisht me pamundësi ndërhyrje. Ne do ta shqyrtojmë mundësinë e realizimit të shtesave për fëmijë, në qershor të këtij viti kur të bëhet rishikimi i buxhetit. Nëse nuk mund ta arrijmë këtë në qershor, dhe kjo për shkak të ndryshimeve të vogla që sipas rregullave buxhetore lejohen të bëhen me rishikim buxheti, atëherë në shtator kur do të planifikohet buxhetin i ri, gjithsesi që do të realizohet ky premtim elektoral.

Për të dhëna më të detajuara, rreth viteve dhe mënyres si do implementohet, do ju njoftojmë me kohë”, thuhët në përgjigjen e komunës.

IndeksOnline ditë më parë raportoi se edhe Komuna e Vushtrrisë nga muaji shkurt ka vazhduar ndihmën financiare prej 120 eurosh për fëmijët e sapolindur në këtë komunë.

Përveç këtyre shumave simbolike në bazë të komunave, fëmijët e porsalindur gëzojnë të drejtën të marrin edhe nga 20 euro nga shteti i Kosovës, deri në 2 vjeç, kurse nga 2-18 vjeç nga 10 euro në muaj.

Po ashtu, mbështetje kanë edhe lehonat pasi shteti u ka siguruar nga 170 radhazi për 3 muaj për gratë e punësuara ndërsa për ato të papunësuarit për 6 muaj./IndeksOnline/