10:26 / E Enjte, 19 Tetor 2023 / k.v

“Kjo nuk qëndron”: Murati hedh poshtë pretendimin e opozitës për marrëveshjet ndërkombëtare

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se nuk qëndron pretendimi i opozitës se fondet e marrëveshjeve ndërkombëtare të bllokuara në kuvend janë të lidhura me masat në fuqi të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, Murati u kërkoi deputetëve opozitarë që të ndryshojnë qëndrim dhe të zhbllokojnë marrëveshjet ndërkombëtare në seancën e sotme.

“Njëra ndër arsyet se pse një pjesë e opozitës nuk po i voton marrëveshjet ndërkombëtare është edhe pretendimi se “për shkak të masave të vendosura, edhe fondet e këtyre marrëveshjeve janë të bllokuara prandaj është e kotë të ratifikohen sepse mjetet nuk mund të shfrytëzohen’. Kjo nuk qëndron”, tha Murati.

Ai tha se ka pasur takime me pothuajse të gjithë partnerët e donatorët zhvillimorë, dhe njëra ndër çështjet e ngritura në këto takime ishte edhe ky pretendim i opozitës.

“Ajo çfarë mund të them është se në të gjitha këto takime më është konfirmuar nga partnerët ndërkombëtarë se marrëveshjet që tashmë janë të nënshkruara dhe presin për ratifikim, nuk kanë asnjë pengesë apo bllokim fondesh”, tha Murati.

“Prandaj edhe njëherë ftoj deputetët e opozitës që nuk po marrin pjesë në votime, të ndryshojnë qëndrim dhe të votojnë për ratifikimin e këtyre marrëveshjeve.”