KK i Prishtinës voton për pezullimin e tenderit për dhënien e kioskave të reja
Me 43 vota për, Kuvendi Komunal i Prishtinës, miratoi pezullimin e procesit të dhënies në shfrytëzim të kiosqeve deri në harmonizimin e kritereve përballuese për konkurrentët.
Kjo u arrit pas një debati që u zhvillua mes asamblistëve, të cilët e quajtën joligjor vendimin e kryetarit të komunës, Shpend Ahmeti për vënien e kriterit për qarkullim në vlerë prej 5 milionë euro për aplikuesin.

Në këtë mbledhje morën pjesë edhe pronarët e kiosqeve të cilët paradite protestuan për vendimin e komunës për shpalljen e këtij ankandi i cili sipas tyre është diskriminues dhe përbën kritere të papërballueshme për ta.
E më të zëshmit në këtë mbledhje ishin asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të LDK-së, që kërkuan me ngulm pezullimin e procesit të konkursit deri në përmirësimin e kritereve.
Madje, asamblisti i VV-së, Egzon Azemi, paralajmëroi kallëzim penal ndaj kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, për shkak të kritereve që ka vendosur për kiosqet në kryeqytet.Ai tha se komuna do të duhej të kishte interes të saj interesin e qytetarëve e jo interesin e korporatave.
Kriteri i përcaktuar që aplikuesi të ketë së paku 5 markete dhe qarkullim vjetor 5 milionë euro, sipas Azemit vërteton qartë se kujt i dedikohen këto favore. Teksa e quajti vendim joligjor vendimin për vendosjen e kritereve për kiosqet.
Në emër të qytetarëve protestues, kryetari i përfaqësuesve të kiosqeve Sadudin Ahmeti, shprehu falënderim për marrjen parasysh të kërkesave të tyre nga asamblistët komunal. /IndeksOnline/