75 Mall Live Search
07:33 / E Mërkurë, 03 Shtator 2025 / MSH

Klinaku del sot para gjykatës, a do të dëshmojë Albin Kurti për rastin e kanosjes?

Faton Klinaku do të dalë sot përpara trupit gjykues në Gjykatën Themelore të Prishtinës, nën cilësinë e të dyshuarit për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Seanca e shqyrtimit fillestar do të mbahet në orën 09:00, raporton IndeksOnline. 

Disa javë më parë, Prokuroria njoftoi se aktakuza ndaj Klinakut dhe të dyshuarit tjetër, N.S., për veprën penale “Kanosja”, është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Sipas aktakuzës, më 29.08.2023, i pandehuri Faton Klinaku me qëllim që ta frikësojë dhe ta detyrojë personin zyrtar tani të dëmtuarin Albin Kurti, në cilësinë e tij si kryeministër i Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose të mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, e ka kanosur atë përmes profilit të tij personal në rrjetin social ‘Facebook’, duke postuar shkrime me përmbajtje kërcënuese”, ka njoftuar Prokuroria.

Mbetet të shihet nëse Kurti do të marrë pjesë në seancë, për të dëshmuar në cilësinë e të dëmtuarit./IndeksOnline/