75 Mall Live Search
11:54 / E Hënë, 03 Prill 2023 / L K

Klinaku kërkon që seancat e gjykimit në Hagë të jenë të hapura: Nuk presim drejtësi, por së paku ndryshim procedurash

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku ka thënë se kjo gjykatë është gjykatë politike dhe nuk janë në pritje të drejtësisë.

“Nuk presim drejtësi prej saj. Së paku presim që mos të vazhdojë si me procedurat që i kanë bëre edhe ndaj të tjerëve. Përderisa po thirret në emër të popullit presim që seancat të jenë të hapura dhe nuk kanë nevojë që seancat të mbyllën. Qoftë për dhënje  të dëshmitarëve apo edhe kur flasin vetë të akuzuarit”

Ai ka kërkuar që gjykimi të behët i gjithë publik, pasi sipas tij nëse një dëshmitarë fshihet dhe nuk e sheh publiku, “atëherë e konsiderojnë që vetëm benë shpifje dhe nuk dëshmon asnjë realitet”, kështu deklaroi Klinaku.

Klinaku komentoi edhe deklaratën e Zyrave të Specializuara në Hagë, ku sipas tyre janë 312 dëshmitarë dhe gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së mund të zgjas më më shumë së 6 vjet.

“Kjo është ajo që ne vazhdimësi e kemi kundërshtuar. Kur nuk lejohen që çlirimtarët të mbrohen në liri dhe stërzgjatja e këtyre procedurave ne vazhdimësi e kemi thënë që ju konvenon këtyre për shkak të interesit të tyre material. Nëse stërzgjatin këto procedura deri më tani ku fillon gjykimi as 2 vite e gjysmë dhe zgjatë gjykimi edhe vite të tjera, natyrisht që edhe kur të shpallen të pafajshëm ata po dënohen disa vite dhe kjo është banaliteti i kësaj gjykate”, theksojë Klinaku.

Sipas tij, askund ku triumfon drejtësia nuk mund të fillojë gjykimi pas 2 viteve siç ka filluar në gjykimin ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së.

“Zyra e prokurorit të specializuar edhe pas dy vite e gjysmë thotë që është duke zhvilluar hetime, ajo është dashur që t’i përfundojë hetimet pastaj të paraburgosën njerëzit nëse ka fakte për ngritje të aktakuzave. Kjo aktakuzë ndaj tyre, vazhdimisht e kemi thënë që për baze i ka disa dosje të Serbisë pushtuese që këto dosje vazhdimisht janë bartë prej tribunalit për krime lufte në ish-Jugosllavi, në UNMIK, EULEX dhe tash në Gjykatë Speciale, të njëjtat aktakuza baze të dosjes dhe shpifjeve që i kanë bëre njerëzit ose edhe i ka përgatitur Serbia pushtuese”, vijojë ai për IndeksOnline.

Klinaku ndër tjerash foli edhe për marshin e ditës së djeshme ku morën pjesë një numër i madh i njerëzve si dhe protestën e sotme pranë zyrave të specializuara në Hagë. Sipas tij, marshi edhe protesta është një përkrahje popullore që iu jepet bashkëluftëtarëve në Hagë.

Ai gjithashtu theksojë së marshi i ka treguar Gjykatës Speciale se nuk mund të gjykojë në ëmër të popullit krerët e UÇK-së.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit së OVL-së komentoi qëndrimet e të parëve të shtetit të Kosovës, ku tha se nuk janë të pajtimit që po behën dallime ndaj ish-pjesëtarëve të UCK-së, pasi sipas tij ata janë të pandashëm.

“Nuk jemi pajtuar që po bëjnë dallime, të përmendet vetëm dikush nga të gjithë krerët sepse atje i kemi 8 bashkëluftëtarët, ku dy prej tyre janë krerë të OVL-së dhe të tjerët që kanë luftuar nën emblemë e UÇK-së dhe këta janë të pandashëm dhe nuk ka nevojë t’i ndajë askush”, përfundoj Klinaku./IndeksOnline/ 

Kujtojmë se më 16 dhjetor 2022, Gjykata Speciale, dënoi me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë ish-eprorin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.