20:07 / E Hënë, 31 Korrik 2023 / shkelqim osmanaj

Klinaku për arrestimin e Goxhajt: U bë për t’i frikësuar njerëzit që e kundërshtojnë një gjykatë politike

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Dritan Goxhaj, është arrestuar në Tiranë me urdhër të Gjykatës Speciale.

Lidhur me rastin ka reaguar ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku.

Klinaku tha se arrestimi i Goxhajt është bërë për t’i frikësuar njerëzit që e kundërshtojnë një gjykatë politike.

“Në Gjykatën Speciale është penguar drejtësia nga vet ajo, duke i rrjedhur dokumentet e saj, si dhe duke i publikuar “viktimat” e me këtë edhe dëshmitarët”, tha Klinaku.

Dritan Goxhaj, është arrestuar sot në Tiranë nën dyshimin për për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.

Për këtë njoftuan edhe Dhomat e Specializuara.

Në njoftim thuhet se DHSK-ja ka kërkuar arrestimin dhe dorëzimin e tij në Hagë.