Klinika e Onkologjisë pranon donacion paisjesh mjekësore për përmirësimin e kushteve të trajtimit të pacientëve

Klinika e Onkologjisë dhe shërbimi i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë pranuar sot një donacion të pajisjeve mjekësore nga organizata jo qeveritare “Cicat”, i cili synon përmirësimin e kushteve të trajtimit dhe rritjen e kapaciteteve për menaxhimin e rasteve.
Pajisjet përfshijnë tavolina dhe instrumente për terapitë mjekësore. Sipas autoriteteve shëndetësore, këto do të përdoren për të lehtësuar punën e stafit mjekësor dhe për të ofruar shërbime më efikase për pacientët me diagnoza të rënda.
Dorëzimi është bërë në ambientet e QKUK-së, te Klinika e Onkologjisë ku janë vlerësuar përfitimet që ky investim sjell në sektorin e përfshirë. Me këtë rast është theksuar se pajisjet e reja do të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së trajtimit dhe rritjen e mundësive për ndërhyrje të shpejta në raste emergjente.
Ky hap shihet si pjesë e një procesi më të gjerë modernizimi të infrastrukturës mjekësore, me fokus në përmirësimin e shërbimeve në fushat ku nevoja është më e theksuar.