75 Mall Live Search
15:31 / E Premte, 06 Mars 2026 / L A

Klopp drejt rikthimit në pankinë? Trajneri gjerman në bisedime surprizë me rivalët e Realit

E ardhmja e trajnerit gjerman Jurgen Klopp mund të marrë një kthesë të papritur.

Sipas mediave spanjolle, ai nuk pritet të shkojë te Real Madridi, por është në bisedime për të marrë drejtimin e Atleticos.

Emisioni i njohur sportiv “El Chiringuito de Jugones” raportoi se trajneri gjerman është në negociata të avancuara për të zëvendësuar trajnerin aktual të madrilenëve, Diego Simeone. Argjentinasi pritet të hyjë këtë verë në vitin e fundit të kontratës së tij me klubin nga stadiumi “Wanda Metropolitano”, gjë që ka shtuar spekulimet për një ndryshim të mundshëm në pankinë.

Sipas të njëjtave burime, Klopp është në kontakt me Marc Rowan, drejtorin ekzekutiv të kompanisë Apollo Global Management, e cila është aksionari kryesor i klubit madrilen.

Ky lajm vjen në një moment kur janë shfaqur zëra për një pakënaqësi të mundshme të Kloppit në rolin e tij aktual si drejtues global i futbollit te Red Bull GmbH.

Madje është përmendur edhe emri i trajnerit të Crystal Palace, Oliver Glasner, si pasues i mundshëm i tij në këtë strukturë. Megjithatë, Red Bull ka mohuar këto pretendime dhe ka theksuar se është i kënaqur me punën e gjermanit.

Kur Klopp u largua nga Liverpooli në vitin 2024, ai deklaroi se nuk do të drejtonte më një klub tjetër anglez, por nuk përjashtoi mundësinë e një aventure të re në Evropë.

Gjatë karrierës së tij, Klopp ka lënë gjurmë të mëdha në futbollin evropian.

Ai e ngjiti Mainz 05 në Bundesliga dhe me Borussia Dortmund fitoi dy herë titullin kampion të Gjermanisë, duke arritur edhe në finalen e Champions League.

Me Liverpoolin, nga viti 2015 deri në 2024, ai fitoi tetë trofe, përfshirë Premier League në vitin 2020 dhe Champions League në vitin 2019, duke u bërë një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e klubit anglez.