09:17 / E Mërkurë, 03 Qershor 2020

Klopp: Herët a vonë, do ta festojmë titullin edhe me tifozët

Pas 30 vitesh pritje, Liverpooli është shumë pranë rikthimit te titulli kampion këtë sezon dhe me rifillimin e kampion atit anglez, do t’i mjaftojnë vetëm dy fitore për të qenë matematikisht fituesit e rinj të Premier League.

Një vit më parë triumfuan në Ligën e Kampionëve, ndërsa këtë sezon “The reds” kanë qenë të jashtëzakonshëm në kampionat, ku kanë krijuar një shkëputje prej plot 25 pikësh me Manchester Cityn ndjekës.

Megjithatë ndonëse titulli pritet të vijë pas 30 vitesh, situata e krijuar për shkak të pandemisë së koronavirusit, do t’i detyrojë “të kuqtë” që të festojnë pa praninë e tifozëve, ndërsa trajneri Jurgen Klopp e ka një mesazh për ta tani.

“Sigurisht që do të vijë një moment, kur do të na lejohet të festojmë me tifozët dhe do ta bëjmë këtë në mënyrën më të mirë të mundshme. Tani u kërkojmë të qëndrojnë të sigurt në shtëpi dhe ne do të mundohemi t’ua shpërblejmë me performanca spektakolare në fushën e lojës”, deklaroi Klopp.

Liverpool do të rikthehet në fushë më datën 20 qershor, në orën 16:00, në derbin përballë Evertonit, ndërsa për t’u shpallur kampion, i mjafton të marrë vetëm 6 pikë në 9 takime të mbetura.

Mos i humb