75 Mall Live Search
15:34 / E Hënë, 07 Mars 2022 / B O

Klopp thotë se Interit nuk i zihet besë, Inzaghi e quan Liverpoolin e frikshëm dhe skuadër me stadium të zjarrtë

Trajneri i Liverpoolit Jurgen Klopp ka folur në konferencë për media para ndeshjes kthyese ndaj Interit në Ligën e Kampionëve që zhvillohet të martën në stadiumin “Anfield Road” me fillim nga ora 21:00.

“Thed Reds” kanë avantazhin e dy golave nga ndeshja e parë e zhvilluar në “Giuseppe Meazza” dhe të gjithë e shohin skuadrën angleze një hap larg fazës çerekfinale të kësaj gare, por i këtij mendimi nuk është trajneri gjerman Jurgen Klopp.

Ai ka thënë se epërisa prej 2-0 nuk do të thotë asgjë para kësaj ndeshje sepse është një rezultat që di të përmbyset në futboll.

“Rezultati i ndeshjes së parë ishte më i mirë se pritshmëritë e mia, por 2-0 është rezultati më i përmbysur në historinë e futbollit. Ne presim një ndeshje të vështirë për të luajtur”, tha fillimisht Klopp.

“Në ndeshjen e parë pati shumë vështirësi. Absolutisht nuk duhet të mendojmë se jemi tashmë të kualifikuar. Interi nuk do të vijë këtu për pushime. Në ndeshjen e fundit fituan 5-0, do të përpiqen të fitojnë prapë dhe ne do të bëjmë të njëjtën gjë, duke e ditur se ka ende një lojë për të luajtur para se të jemi të sigurt për çerekfinalen”, tha në fund ai.

Humbjen me rezultat 2-0 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Itali e sheh se diçka që e penalizon skuadrën e tij, por trajneri i Interit Simone Inzaghi thotë se ata janë të gatshëm për këtë sfidë kaq të rëndësishme.

Ai tha të hënën para mediave se Liverpooli është njëra nga klubet më të mira në botë por që Interi do t’i provojë të gjitha shanset në këtë ballafaqim.

“Në ndeshjen e parë rezultati na penalizoi, luajtëm një ndeshje të shkëlqyer me një rezultat tepër penalizues për atë që kishim parë në fushë. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, kundër një prej më të mëdhenjve në Evropë, por ne do ta luajmë për shumë arsye”, tha fillimisht ish-trajneri i Lazios.

“Ne e nisim nga një disavantazh, do të ishte e rëndësishme të gjejmë një gol në pjesën e parë. E dimë se do të jetë shumë e vështirë, por kemi pasur tre ditë për ta përgatitur ndeshjen, djemtë janë gati dhe të vetëdijshëm. Kjo është skuadra më e fortë në Evropë së bashku me Bayernin dhe Cityn, me një stadium të mrekullueshëm dhe një tifozeri të zjarrtë që do ta bëjë gjithçka edhe më të komplikuar”, vazhdoi ai.

Tutje Inzaghi tha se fitorja me rezultat 5-0 ndaj Salernitanas në kampionat e ka ndihmuar ekipin për të pasur qasje tjetër ndaj Liverpoolit.

“Të arrish në një sfidë si kjo pas një fitoreje është mirë. Ne ishim të mirë duke bërë një lojë që nuk ishte e lehtë për t’u bërë. Ishte e nevojshme, veçanërisht mendërisht. Tani ne jemi gati të përballemi me këtë ekip të madh në “Anfield”, tha në fund Inzaghi.

Ndeshja kthyese e Ligës së Kampionëve ndërmjet Liverpoolit dhe Interit zhvillohet të martën me fillim nga ora 21:00.