Klubi anglez i hapë bisedimet me yllin e Realit
Sulmuesi i Real Madridit, Rodrygo Goes, ishte shumë i lidhur me një largim gjatë verës, por përfundoi duke qëndruar në “Santiago Bernabeu”.
Megjithatë, me minutazh të vogël nën drejtimin e Xabi Alonso, e ardhmja e tij vazhdon të jetë e pasigurt.
Gjatë verës, thuhej se ai ishte në shënjestrën e Manchester City dhe Arsenal, por asnjë nga klubet nuk bëri një ofertë serioze për të.
Tani, megjithatë, është Chelsea që ka hapur bisedimet me “Los Blancos” për një marrëveshje të mundshme për Rodrygon.
Sipas “Indykaila”, Chelsea janë të gatshëm të realizojnë lëvizjen qoftë në merkatoin e janarit, qoftë në verë.
Disa orë më vonë, “ESPN Brasil” ka konfirmuar pjesërisht historinë, duke treguar se Rodrygo tani është i gatshëm të largohet nga “Los Blancos”.
Ndërsa nuk përmendet Chelsea, thuhet se braziliani preferon të kalojë në Premierligë, nëse largohet.
Ndryshimi nga vera është se ai është bërë gjithnjë e më i pakënaqur me rolin e tij nën Alonson, duke ndjerë se nuk i është dhënë mjaft hapësirë në fushë.
Në fillim të sezonit u raportua se Rodrygo kishte kërkuar mundësinë për të konkurruar për një vend në krahun e majtë të sulmit të Real Madridit me Vinicius Junior, në vend që të luante në të djathtën si në sezonet e fundit.
Megjithëse ai ka luajtur më shpesh në këtë pozicion, është përdorur rrallë.
Kështu, deri tani këtë sezon, Rodrygo ka luajtur vetëm 359 minuta në 13 ndeshje, duke regjistruar dy asistime.
Vetëm tre herë ka filluar ndeshjen dhe vetëm në një prej tyre ka kaluar minutën e 63-të. Shumica e paraqitjeve të tij kanë qenë cameo rreth 20 minutash.

