KMDLNJ-ja dënon kërcënimin ndaj presidentes Osmani, kërkon nga policia të veprojë me urgjencë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka dënuar ashpër kërcënimin me jetë ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
KMDLNJ-ja kërkon nga Policia e Kosovës që të trajtojë rastin me urgjencë dhe të arrestojë sa më shpejt autorët, duke theksuar nevojën për ndëshkim të duhur për të parandaluar raste të ngjashme.
“Përmbajtja e teksti të kërcënimit ndonëse me një paqartësi, në fakt nuk ndërlidhet me detyrimet kushtetuese që i ka presidentja. Kohët e fundit shkaku i një eskalimi të raporteve ndërpartiake, është sforcuar kërcënimi, si mjet për arritjen e qëllimeve politike. Përveç politikanëve dhe figurave publike, cak i vazhdueshëm i sulmeve dhe kërcënimeve janë gazetarët ndërkaq që dënimet për këtë janë thuaja simbolike. KMDLNJ-ja e dënon kërcënimin ndaj presidentes Osmani dhe kërkon nga policia që ta trajtojë këtë dhe rastet e ngjashme me urgjencë në mënyrë që të parandalojnë pasoja më të rënda. Policia e Kosovës ka kapacitet të mjaftueshëm profesional dhe përvojë të suksesshme në trajtimin e
këtyre rasteve andaj pritet që kërcënuesi të arrestohet shpejt dhe të japë përgjegjësi para ligjit”, thuhet në reagim.