75 Mall Live Search
13:53 / E Martë, 10 Gusht 2021 / OSH

KMDLNJ-ja kërkon ndërprerje të dënimit për të burgosurit që vuajnë nga sëmundje të rënda

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut (KMDLN) ka dhënë detaje në lidhje me të burgosurin, i cili sot vdiq sot në orën 10:50, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.

Ai është R.SH., i lindur më 15.11.1937, në Ferizaj, ndërsa ishte pranuar në Qendrën Korrektuese në Dubravë më 14.04.2018 në vuajtje të dënimit prej 11 vjetësh.

KMDLNJ-ja ka njoftuar se i ndjeri R.SH. ishte dërguar me urgjencë në Spitalin e Pejës më 10.08.2021, në orën 10:05, ndërsa në po të njëjtin spital ishte konfirmuar vdekja në 10:50 të së njëjtës ditë.

“R.SH. ishte i shtrirë në Stacionarin e Burgut në Dubravë për shkak të sëmundjeve kronike të zemrës, sëmundjeve neurologjike të prostatës, të mushkërive, të fytit, pamjaftueshmërisë së funksionimit të veshkave për ç’arsye para se të vendosej në Qendrën Korrektuese të Dubravës, 3 herë në javë i ishte nënshtruar procesit të hemodializës. Gjatë qëndrimit në Burgun e Dubravës ishte vaksinuar me dy vaksinat anti-COVID-19. Ishte njëri ndër rastet që ishte shënjestruar për ndërprerje të dënimit për shkaqe shëndetësore dhe të moshës, por ishte refuzuar”, thotë KMDLNJ-ja në njoftimin për media.

Shërbimi Spitalor i Burgjeve thotë më tej ky Këshill ka bërë përpjekje maksimale për trajtimin shëndetësor të të burgosurit R.SH., por për shkak të sëmundjeve, edhe përkundër vullnetit dhe angazhimit, ka qenë thuaja e pamundur të trajtohet në Stacionarin e Burgut në Dubravë.