75 Mall Live Search
11:48 / E Shtunë, 11 Maj 2019 / indeksADMonline

KMDLNj: Të ndalohet burka, nuk ka të bëjë me fenë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ditë më parë ka dalë me një rekomandim për institucionet e vendit që me ligj të ndalojnë përdorimin e burkës në vendet publike dhe gjykata. Kjo ide ka gjetur mbështetjen të ligjvënësve, teksa Avokati i Popullit vlerëson se mbajtja e simboleve fetare mund të përcaktohet vetëm me ligj e jo ndryshe.

Kryetari i KMDLNj-së, Behxhet Shala, ndalesën e burkës në vendet publike e arsyeton duke thënë se duan që t’i ruajnë nga stigmatizimi gratë që mbajnë një mbulesë të tillë.

Shala thotë se Këshilli ka dal me këtë mendim me qëllim që të mos rrezikohen gratë dhe vajzat që bartin burkën, duke i ditur edhe paragjykimet e shoqërisë ndaj tyre.

Shala për KosovaPress thotë se një veshje e tillë nuk ka të bëjë fare me fenë islame, por ka ardhur si rezultat i luftërave në Siri.

Teksa sqaron se nuk janë kundër këtij komuniteti që mbajnë burkën, kryetari i KMDLNj-së thotë se ata janë pro mbajtjes së shamisë dhe e mbrojnë këtë të drejtë që e garanton edhe ligji.

Shala po ashtu deklaron se veshja e burkas në hapësirat publike është e papranueshmedhe se të gjithë duhet t’i përmbahen një kodi të veshjes.

Lidhur me këtë rekomandim të KMDLNJ-së, avokati i popullit, Hilmi Jashari i referohet Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut për çka thotë se përdorimi i simboleve fetare duhet të rregullohet me ligj.

Përkrah nismës së KMDLNJ-së, ka dal edhe anëtarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Teuta Haxhiu e cila thotë se mbajtja e burkës nuk e tregon traditën dhe kulturën tonë.

Deputetja e AAK-së deklaron se siguria është mbi të gjitha, prandaj, sipas saj, është tejet e rëndësishme të dihet se kush fshihet prapa asaj veshje.

KosovaPress ka tentuar të marr një përgjigje edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës lidhur me këtë rekomandimet të KMDLNJ-së por që nuk kanë dashur të flasin me arsyetimin se myftiu, Naim Tërnava do të mbledh Këshillin Fetfa për të diskutuar për këtë çështje.

Kujtojmë se kjo temë u aktualizua kur gratë e riatdhesuar nga Siria mbanin burka dhe ashtu të veshura kanë dal edhe para trupit gjykues, të cilat nën masën e arrestit shtëpiak po gjykohen për veprën penale; Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës. /Indeksonline/