16:44 / E Hënë, 25 Maj 2020 / indeksADMonline

KMDLNJ viziton Zharkun në qendrën e paraburgimit për shkak të grevës së urisë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë është informuar se i paraburgosuri Xhabir Zharku në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali është në grevë urie dhe refuzon ushqimin për tre ditë si pakënaqësi për cilësinë e ushqimit.

Gjatë takimit me KMDLNJ, Zharku ka thënë se ushqimi në këtë qendër deri para dy muajve ka qenë i mirë, por se kohëve të fundit nuk është i tillë, derisa pakot ushqimore nga familja janë të ndaluara dhe nuk është krijuar mundësia që ato gjera të blihen në shitoren e burgut.

KMDLNJ i merr si të arsyeshme shqetësimet dhe vërejtjet e Zharkut dhe të burgosurve tjerë sidomos për furnizim me gjëra ushqimore dhe higjienike nga shitorja e burgut.

KMDLNJ gjatë vizitave monitoruese ka vërejtur se gjithmonë ku ka mundësi dhe sipas rekomandimit të mjekut , të privuarve nga liria u servohet ushqimi përkatës, ndërkaq, sa i përket zëvendësimit të ushqimeve që janë ndaluar me pakot ushqimore vlerëson se nuk duhet të paraqesë problem.

KMDLNJ ka kërkuar që në mungesë të pakove familjare, furnizimi i shitores së burgut duhet t’i përshtatet nevojave të personave të privuar nga liria e jo interesave të tenderëve të ndryshëm.

Ndryshe, KMDLNJ ka bërë të ditur se do të takojë drejtuesit e Shërbimit Korrektues për të diskutuar për shqetësimet e arsyeshme që i bëjnë të privuarit nga liria dhe për të gjetur mundësi për tejkalimin e tyre.