Koalicione me PDK-në në komuna, por jo në nacionale, Kurti: S’besoj që mund ta vëmë shenjën e barazisë
 
				Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti është pyetur se pse partia e tij pranon të bëjë koalicione me PDK-në në nivel lokal por jo edhe me atë qendror.
Kurti në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë në detyrë tha se nuk mund ta vënë shenjën e barazimit.
“Përbrenda PDK–së ka një heterogjenitet më të madh sesa që mendohet dhe kjo është shprehur në disa komuna. Njëra prej tyre është ajo e Dragashit dhe ne atje kemi bërë një dakordim për shkak se jemi të interesuar për ndryshim. Por nuk besoj që mund ta vëmë shenjën e barazisë midis orientimit në nivelin shtetëror e nacional që ka ajo parti dhe degëve të veçanta me kontekstet e caktuar socioekonomike atje në kushtet e një heterogjeniteti”, tha Kurti.
Pas kësaj përgjigjeje, Kurti doli nga konferenca me arsyetimin sa ka një takim. Ndërkaq për t’iu përgjigjur pyetjeve të tjera të gazetarëve ai pas la ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Muratin.
“Mua më vjen keq së më duhet të shkojë se kam një takim në orën 11:00, por ndoshta për pyetjet e fundit do të përgjigjet ministri Murati”, tha ai.


 
											 
											 
											 
											 
											 
											 
                                 
                                 
                                 
                                 
                                 
                                