75 Mall Live Search
11:17 / E Premte, 04 Korrik 2025 / LB

“Koalicioni LVV-LDK, dëshirë politike e Kurtit”, Haziri: Bashkëpunimi ndërtohet me mirëbesim

Insistimi i Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës është një dëshirë politike e Albin Kurtit, thotë nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri. Ai deklaron se kjo është korrekte por, sipas tij, bashkëpunimi politik nuk është një akt, mirëpo ndërtohet në mirëbesim dhe kërkon kohë.

Përkitazi me këtë, Haziri kritikon Kurtin, i cili, siç thotë ai, “po godet nën brez LDK-në” duke tentuar të ndërtojë një bllok politik në nivelin e raportit LVV-PDK dhe duke anashkaluar LDK-në. Ai nënvizon se LDK-ja dallon “si nata me ditë” me LVV-në, por edhe PDK-në.

Haziri, në një intervistë për KosovaPressin, duke folur për mundësitë e koalicionit qeverisës LVV-LDK, thotë se Kurtit tani “po i duhet LDK-ja për një marrëveshje jo vetëm për kuvend, mirëpo edhe për qeveri e zgjedhje të presidentit vitin e ardhshëm”, ku sipas tij, bashkë me komunitetet jo serbe dhe Nismën po tenton të krijojë një bllok të ri politik, duke anashkaluar PDK-në dhe AAK-në.

Megjithatë, në dy raste, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka refuzuar pjesëmarrjen në takim me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, për të diskutuar për mundësinë e koalicionit qeverisës mes dy partive pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

“Ka filluar të flasë edhe për dëshirat politike që s’kanë qenë shprehi e tij. Cila është dëshira e tij politike? Të bëjë një shumicë të madhe prej dy të tretave në Kuvend, ku përfshin një rol kritik të LDK-së, e cila si parti politike e ka përvojën e bashkëpunimit edhe si opozitë dhe qeverisje, dhe ka mësime që është dashur t’i nxjerrë. LDK-ja i ka nxjerrë mësimet e veta, por zotëri Kurti, si duket, nuk i ka nxjerrë këto mësime. Për një lider që duhet të arrijë marrëveshje politike, duhet të jetë korrekt. Bashkëpunimi nuk është akt, ai ndërtohet në mirëbesim dhe bashkëpunim dhe kërkon kohë. Kjo që ne kemi kaluar dhe po kalojmë me qenë politikisht korrekt, Kurtit i duhet oksigjeni politik i LDK-së tash. Për marrëveshje për qeveri, ndoshta edhe president dhe jo vetëm për Kuvendin. Së bashku me Nismën dhe pakicat jo serbe mund të bëjnë një situatë të re dhe mund të ndërtojnë një bllok të ri politik”, thekson Haziri.

Sa i përket polemikave në distancë mes Kurtit dhe zyrtarëve të lartë të PDK-së, Haziri thotë se kjo po bëhet qëllimisht nga Kurti, me synim të ndërtimit të një raporti polarizues vetëm në nivelin LVV-PDK.

“Goditja nën brez është duke vazhduar kundër Lumir Abdixhikut. Zotëri Kurti LDK-në shumë rrallë e përmend, pasi po dëshiron polarizimin me ndërtuar në raportin LVV-PDK. Shpeshherë ata që nuk janë PDK, i referohet LDK-së, dhe shpeshherë i mëshon nën brez LDK-së, duke e identifikuar në këpucët e njëjta të PDK-së. Atribuon problemet dhe gjithçka tjetër që identifikon me keqqeverisje, në thonjëza raportin LDK-PDK. Por jo, ne jemi LDK dhe jemi ata që në raport me LVV-në dhe në raport me PDK-në jemi ata që dallojmë shumë si nata me ditë”, thekson Haziri.

Përkundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për ngërçin në Kuvend dhe obligimin taksativ për konstituim të Kuvendit jo më larg se 26 korriku, partitë parlamentare kanë vazhduar avazin e dështimit në zgjedhjen e trupave të legjislativit në tri seancat e fundit.

Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa – që nuk kanë arritur t’i sigurojnë 61 votat e nevojshme në votim të hapur për Albulena Hahxhiun, po vazhdojnë të kërkojë votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Por, kjo po kundërshtohet nga partitë e tjera parlamentare.

Sipas Hazirit, partia e parë në zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po respekton aktgjykimin e Kushtetueses, ku sipas tij, i obligohet që në mirëbesim dhe bashkëpunim t’i japë zgjidhje konstituimit të Kuvendit.

Ai thotë se në aktgjykim ndalohet votimi i fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, insistim ky i Lëvizjes Vetëvendosje.

Për këtë arsye, Haziri shton se do të dërgojnë rast të ri në Kushtetuese për shkeljet që, sipas tij, po i bën LVV-ja.

“Jemi minus tridhjetë ditë të asaj që Gjykata Kushtetuese kërkon që brenda muajit me bërë përpjekje politike partia e parë, që e ka të drejtën e fituar për propozimin, por edhe duhet angazhuar me zgjedh kandidatin e propozuar për këtë rast. Angazhimi i vetëm është marrëveshja politike, pasi s’ka opsion tjetër. Për herë të parë po sfidohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Kjo është më e rëndë”, thekson Haziri.

Takimet e presidentes Vjosa Osmani me liderët politikë, nënkryetari i LDK-së i sheh si përpjekje “me duar të lidhura” të saj për të ruajtur kredibilitetin e institucionit të presidentit.

Megjithatë, ai është skeptik se të njëjtat do të prodhojnë rezultate konkrete, pasi sipas tij, takimet pa qëllime janë të destinuara për dështim.

Kosova, edhe pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, nuk ka formuar institucionet e reja. Partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës assesi nuk po merren vesh për zgjedhjen e trupave të legjislativit që do t’i hapte rrugë pastaj formimit të qeverisë.

Të shtunën do të jetë përpjekja e 42-të për ta bërë kuvendin, prej kur ka nisur seanca konstituive, më 15 prill