75 Mall Live Search
21:22 / E Hënë, 27 Tetor 2025 / F.R

Koalicioni me LDK-në, mblidhet PDK-ja në Fushë Kosovë, ka një mesazh për përkrahësit

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Fushë Kosovë, ka njoftuar se ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi institucional me Lidhjen Demokratike të Kosovës në këtë komunë.

Sipas komunikatës, ky vendim është marrë pas një procesi të gjerë konsultimesh me qëllim garantimin e stabilitetit institucional, zhvillimit të komunës dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve.

“Duke hyrë në këtë koalicion, ne nuk po bashkohemi për pushtet, por për përgjegjësi për të realizuar projektet që qytetarët i presin me vite”, thuhet në njoftim, ku theksohet se prioritet mbetet zhvillimi ekonomik, përmirësimi i cilësisë së arsimit, mbështetja e të rinjve dhe transparenca në qeverisje.

PDK-ja thekson se marrëveshja është rezultat i vullnetit për të vendosur interesin e qytetarëve mbi interesat partiake, ndërsa premton që do të mbetet garant i drejtësisë, efikasitetit dhe përgjegjësisë publike në çdo vendimmarrje të përbashkët.

Në fund të komunikatës, PDK thekson se Fushë Kosova meriton më shumë se ndarje politike dhe ka nevojë për bashkim për zhvillim, duke e cilësuar këtë marrëveshje si një hap drejt një qeverisjeje më stabile dhe efektive./IndeksOnline/