“Kobra” deklaron se s’ka të bëjë me rastin e vrasjes së të riut në Prizren, thotë se në DVR të lokalit gjendet e vërteta

Gjatë dhënies së mbrojtjes të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, tha se nuk ka të bëjë asgjë me rastin e vrasjes së të riut në lokalin “Kobra City” në Prizren.
I akuzuari tha se nga lokali ku ka ndodhur rasti, ka dalë së bashku me policinë dhe se së bashku me zyrtarët policorë i kishte parë gëzhojat afër autostradës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai deklaroi se vazhdimisht prej momentit që ka ndodhur rasti ka kërkuar DVR e lokalit, duke shtuar se aty gjendet e vërteta.
I ballafaquar me deklaratën e dhënë në Prokurori, Hoxhaj tha se mendon se vrasjen e V.C., e kanë bërë personat me të cilët e ka kaluar kufirin, duke shtuar se të njëjtit nuk i njeh dhe nuk e di se kush janë.
Hoxhaj deklaroi se vetëm pasi ka shkuar në Stacion Policor e ka kuptuar se ka ndodhur vrasja, duke shtuar se kjo rrethanë i ishte treguar nga zyrtarët policorë.
Gjithashtu, Hoxhaj deklaroi se nuk e di vendin ku ka ndodhur vrasja, duke shtuar se nuk ka të bëjë asgjë me rastin. Tha se nga Policia i ishte thënë se tani i akuzuari Roland Susuri pas tre ditësh është dorëzuar në Polici.
Ndryshe nga Dibran Hoxhaj, të akuzuarit e tjerë, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku, dhe Jesmir Badalli, u mbrojtën në heshtje.