75 Mall Live Search
20:01 / E Mërkurë, 06 Janar 2021 / Blerim

Koci e quan paradoks Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese

Avokati, Arianit Koci, e quan paradoks Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ai duke cituar pikën 258 të Aktgjykimit, thotë se po bëhet diferencim në mes të kandidimit dhe ushtrimit të postit të deputetit.

Ky është postimi i plotë i tij:

Paradoksi i Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

1.

Pika 258 e Aktgjykimit:

Megjithatë, Gjykata thekson se – përtej çështjes që ngrihet lidhur me mundësinë e humbjes së mandatit të deputetit si pasojë e dënimit për vepër penale gjatë një legjislature të caktuar – Kushtetuta dhe ligjet përkatëse nuk lejojnë që personi i dënuar për vepër penale as të kandidojë në zgjedhje (nëse ka qenë i dënuar për vepër penale gjatë tri viteve të fundit) e as të ushtrojë detyrën e deputetit (nëse me vendim gjyqësor të formës së prerë është dënuar me një apo më tepër vite burgim).

2.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, personi i dënuar për vepër penale – madje edhe me vërejtje gjyqësore në tri vitet e fundit, NUK mund të kandidoj në zgjedhje.

Por, sipas të njejtës Gjykatë, deputeti MUND të ushtrojë detyrën e deputetit, nëse dënohet me burgim deri në një vit.

Pra, nuk janë kriteret e njejta për kandidim dhe për ushtrim të detyrës së deputetit.

A ka logjikë kjo?

Po bëhet diferencim në mes të kandidimit dhe ushtrimit të postit të deputetit.

Kur kandidon, duhet me qenë i padënuar – qoftë edhe për vepra penale pa pasoja juridike, ndërsa pasi të bëhesh deputet, bën me qenë kriminel, ama mos me e tepru shumë.

3.

Në anën tjetër, sipas këtij aktgjykim, në mënyrë implicite veprat penale pa pasoja juridike nga neni 93 paragrafi 2 të Kodit Penal (vëretja gjyqësore dhe dënimi me gjobë), në fakt qenkan vepra me pasoja juridike.

4.

Gjykata Kushtetuese i referohet nenit 29/1 Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe nenit 70/1 të Kushtetutës, por nuk i referohet nenit 93/2 të Kodit Penal.

Sidoqoftë, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në një rast penal, nuk mund të interpretohet i shkëputur prej nenit 93/2 të Kodit Penal të Kosovës.