75 Mall Live Search
16:30 / E Premte, 10 Maj 2019 / indeksADMonline

Koci: HIB u lirua nga aktakuza e cila u iniciua nga Komuna e Prishtinës

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për krime të rënda ka liruar HIB Petrol Sh.P.K nga padia që ishte bërë nga Komuna e Prishtinës me 2015-ën.

Vendimin e Prokurorisë e ka konfirmuar për Indeksonline, avokati Arianit Koci.

“Pas shumë seancave maratonike, dëshmitarëve të dëgjuar dhe shumë provave të administruara nga ana e Gjykatës, ne, Arianit Koci dhe Granit Vokshi, avokatë mbrojtës të të pandehurve, me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, në seancën e datës 10 maj 2019, ka vendosur që të pandehurit, t’i lirojë nga të gjitha akuzat. Ne si mbrojtës të akuzuarve, gjithmonë kemi besuar në pafajësinë e të mbrojturve tanë dhe se të gjitha provat të cilat janë administruar nga ana e Gjykatës, i kanë vërtetuar pretendimet tona, të cilat janë vënë në pah që nga viti 2015, kur edhe ishte ngritur kjo aktakuzë”, ka thënë Koci.

Kujtojmë që Prokuroria Themelore e Prishtinës, Departamenti i Krimeve të Rënda, më 6 korrik 2015, kishte ngritur Aktakuzë kundër Kujtim Bucaliu dhe HIB Petrol Sh.P.K., me pretendimin se të njëjtit, me vetëdije kanë mashtruar blerësin – Komunën e Prishtinës duke vepruar në kundërshtim me kontratën Publike Kornizë me numër identifikues 61611149111 e lidhur në mes të të pandehurit HIB Petrol dhe Komunës së Prishtinës, në atë mënyrë që gjatë ekzekutimit të saj ka vënë në qarkullim produktin që nuk i përgjigjej kualitetit të produktit të kontraktuar.

 Me këtë prokuroria pretendonte se i pandehuri HIB Petrol Sh.P.K., ka kryer veprën penale Mashtrim i Blerësve, konform Nenit 299 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa Kujtim Bucaliu ka kryer veprën penale të mashtrimit konform Nenit 335 paragrafi 5, të Kodit Penal.

Mirëpo, sot Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar të pandehurit nga të gjitha akuzat./Indeksonline/