Koci i pakompromis përballë serbëve në gjykatë: Po tentoni të krijoni alibi me shokë, 10 miq nuk ju shpëtojnë
Gjatë seancës në rastin e Banjska, avokati mbrojtës i familjes së Afrim Bunjakut, Arianit Koci, reagoi ndaj kërkesës së mbrojtjes së Maksimoviqit për të dëgjuar 10 dëshmitarë të rinj, transmeton IndeksOnline.
“Po e kuptoj tentativën e mbrojtjes për të krijuar alibi përmes shokëve të klientit të saj. Gjykata duhet ta ketë parasysh se nuk është prova e vetme; ka prova të tjera të pakundërshtueshme. Ky propozim vetëm krijon mjegull dhe zvarrit procesin gjyqësor”, tha Koci.
Ai theksoi se thelbi i aktakuzës lidhet me organizimin dhe pjesëmarrjen në përpjekjen për shkëputjen e një pjese të veriut të Kosovës, ndërsa sipas tij, disa nga dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja nuk kanë shënime të plota dhe synojnë vetëm të krijojnë alibi. “Alibia mund të ndërtohet me një dëshmitar, jo me dhjetë”, përfundoi Koci.

