75 Mall Live Search
20:52 / E Mërkurë, 07 Shkurt 2024 / S Z

Koci i reagon ministrit Balla: Aktorët u arrestuan padrejtësisht, askush s’mund t’i nxis kosovarët kundër uniformave blu

Avokati Arianit Koci i ka reaguar ministrit të Brendshëm të Shqipërisë Taulant Balla, lidhur me deklaratat e tij për arrestimin e aktorëve kosovar në Shqipëri.

Balla ka thënë se kanë nisur hetimet lidhur me ndalimin e një grupi nga Kosova që u ndaluan nga Policia e Shtetit si të dyshuar për “trafikim të tritolit”. Balla ka shprehur keqardhje sepse “në vend të mirëkuptimit për faktin se ky operacion rezultoi në kapjen e 203 kallëp tritoli, nxitet keqkuptimi dhe mllefi kundër uniformave blu të Republikës së Shqipërisë”.

“Jam i keqardhur për publikimet në mediat e Kosovës lidhur me operacionin e Policisë së Shtetit, ku u kap një sasi prej 46 kg tritol”, ka thënë Balla.

Por Koci I cili ka reaguar ndaj deklaratave të tij ka thënë se ministri Balla para se të deklarohet lidhur me pretendimet e artistëve të trupës së përfshirë padrejtësisht në operacionin e sukseshëm policor, kishte me qenë mirë t’i pret rezultatet e hetimeve.

Ndërsa ka thënë se aktorët u arrestuan padrejtësisht. Megjithatë ai ka thënë se kosovarët askush s’mund t’i nxis kunder uniformave Blu, ashtu siç ka pretenduar Balla.

“Asnjëherë, në asnjë rast dhe nga askush, neve kosovarëve nuk mund të na nxis “keqkuptim dhe mllef kundër uniformave blu” – siç po thuani ju. Nëse keni harruar, me respekt më duhet t’iu rikujtoj që ne Shqipërinë e duan sa Kosoven. Rrjedhimisht edhe uniformat blu”, ka shkruar Koci.

Reagimi i plotë i Kocit:

Zoti ministër, para se të deklaroheni lidhur me pretendimet e artistëve të trupës së përfshirë padrejtësisht në operacionin e sukseshëm policor, kishte me qenë mirë t’i pritni rezultatet e hetimeve që po i përmendni.

Në anën tjetër, asnjëherë, në asnjë rast dhe nga askush, neve kosovarëve nuk mund të na nxis “keqkuptim dhe mllef kundër uniformave blu” – siç po thuani ju.

Nëse keni harruar, me respekt më duhet t’iu rikujtoj që ne Shqipërinë e duan sa Kosoven. Rrjedhimisht edhe uniformat blu.

Sjellja e mirë e policisë shqiptare ndaj neve kosovarëve është fakt notor.

Ne Shqipëri e ndiejmë vetën si në Kosovë.

Unë së paku, asnjëherë nuk kam pasur vërejtje, e as nuk kam dëgjuar që dikush të jetë ankuar në uniformat blu. E disa prej nesh, jemi thuaja cdo javë në Shqipëri. Në fakt, më shpesh jam në Tiranë dhe bregdetin tanë, atë shqiptar, se sa në Pejë apo Prizren.

Mos harroni, aktorét janë arrestuar padrejtësisht. Argument për këtë është fakti se janë liruar pas disa orëve. Në operacione të tilla, policia ka autorizime të gjëra ligjore; mund të na arrestoj edhe mua dhe juve. Por, thelbi i ankesës është dikund tjetër: te keqtrajtimi i pretenduar.

E atë pretendim, po e hetoni.

Prandaj, nuk e besoj që ankesa e aktorëve duhet të bëhet shqetësim për juve z.ministër. Në fund të fundit, edhe mua dhe juve, po të na arrestonin pa prova, pa faj, do të hidherohëshim; do të kërkonim drejtësi.