Koci: Kryeministri dhe ministrat e kanë obligim të dalin në punë
Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, në vend ka shpërthyer debati nëse ai duhet të dal apo jo në vendin e punës. Por avokati Arianit Koci ka dhënë një shpjegim ku sipas të cilit Haradinaj bashkë me ministrat e tij e kanë për obligim të dalin në zyre.
“Neni 95.5 i Kushtetutës përcakton se “Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie […] Shumë dispozitë e qartë. Rrjedhimisht, me dorëheqjen e Kryeministrit, e tërë Qeveria dhe kabineti lirohen. Por, përveç Kushtetutës dhe ligjeve, kemi edhe precedentet dhe zakonet. Shteti nuk mund të mbetet pa timonier”, ka shkruar Koci në profilin e tij në Facebook.
Sipas tij, dikush duhet ta drejtoj e të marr vendime, deri në votimin e mandatarit të ri, ose mbajtjen e zgjedhjeve.
“Sekretaret Permanent të cilët janë zyrtar jo-politik dhe shërbejnë si Zyrtarët Kryesor Administrativ, nuk kanë autorizime ligjore që të marrin vendime të caktuara. Rast konkret e kemi çështjen e ekstradimit. Sekretari permanent nuk mund të marr vendim lidhur me ekstradimin të një personi. Këtë mund ta bëjë vetëm ministri i drejtësisë”, ka shkruar avokati.
Ai thotë se ka shumë raste të tilla, sidomos te ministria e financave.
“Prandaj, Ramushi me ministra, jo vetëm që kanë të drejtë të dalin në zyre deri në votimin e mandatarit të ri apo mbajtjen e zgjedhjeve, por kanë edhe obligim”, ka shkruar Koci./Indeksonline/