75 Mall Live Search
10:44 / E Mërkurë, 23 Shtator 2020 / indeksADMonline

Koci: Kush i publikon dosjet e Gjykatës Speciale rrezikon burgimin

Dosjet që përmbajnë informacion mbi aktakuzën për presidentin Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së Kadri Veseli dhe ish- drejtueseve të UÇK-së, Azem Syla, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Xhavit Haliti etj., kanë mbërritur në zyrat e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së.

Avokati i licencuar nga Gjykata Speciale në Kosovë, Arianit Koci, thotë se ka nisur një “luftë” ndaj kësaj gjykate, ndërsa Organizata e Veteranëve të UÇK-së thotë ai është një “viktimë” në këtë çështje.

Sipas Arianit Kocit, nuk dha shpjegime se kush fshihet pas kësaj lufte, por e gjitha kjo tha ai do të dëmtojë imazhin e Kosovës.

Koci duke komentuar dosjet e pretenduara se janë aktakuza ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, thotë se vetë Gjykata Speciale nuk e ka përgënjeshtruar apo pranuar që këto dosje të jenë autentike.

“Por edhe dokumentet që mund të mos jenë autentike krijojnë problem në opinionin publik pasi po flitet për emrat e dëshmitarëve të mbrojtur dhe për këtë arsye Gjykata Speciale i ka marrë të gjithë këto dosje”, u shpreh avokati për euronews.al.

Arianit Koci tha më tej se, mediat në Kosovë nuk kanë publikuar përmbajte të dosjes, por një gjë e tillë ka filluar të bëhet nga media në Shqipëri duke e krahasuar situatën me atë të Edward Snowdenin.

Ai theksoi se është i ndaluar publikimi i këtyre dokumenteve pasi në rast se do të kemi vrasje të dëshmitarëve të mbrojtur, atëherë dënimi është së paku me 10 vjet burgim për ata që i kanë publikuar.

Për Gjykatën Speciale ai tha se ka qenë kundër ngritjes së saj dhe funksionimi i saj po dëmton imazhin e Kosovës.

“Është një strukturë shumë e çuditshme, është gjykatë kosovare ku komplet stafi është i huaj”, tha ai.

Zyra e Prokurorit Special thotë se, është e angazhuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht me forcë individë që kryejnë krime të tilla, që përfshijnë publikimin e identitetit të individëve që mund të thirren para gjykatës apo të ndonjë informacioni që mund të çojë në identifikimin e tyre ndërsa akuzon Organizatën e Veteranëve të Luftës të UÇK-së e cila sipas tyre është përfshirë në aktivitete që kanë për qëllim të minojnë administrimin në mënyrën e duhur të drejtësisë.