Koci paralajmëron kolaps: Mos me qenë në funksion Laban, nuk kemi as Gjykatë Kushtetuese

Më 5 gusht 2025, presidentja Vjosa Osmani njoftoi në një konferencë për media tërheqjen e kërkesës së saj me numër KO215/25, e cila lidhej me çështjen e ngritur pranë Gjykatës Kushtetuese për ecurinë e konstituimit të Kuvendit. Ky vendim u mor pas informacioneve për caktimin e gjyqtarit Radomir Laban si gjyqtar raportues për këtë çështje.
Presidentja Osmani theksoi se gjyqtari Laban nuk është emëruar nga ajo dhe shprehu shqetësim për rrezikun që ai paraqet për sigurinë e vendit, duke argumentuar se veprimi i saj kishte për qëllim mbrojtjen e rendit kushtetues dhe funksionimin demokratik të institucioneve.
Në lidhje me këtë çështje, avokati Arianit Koci foli në emisionin “DPT Fidani” në Klan Kosova, duke e cilësuar Radomir Laban si një prej juristëve më të mirë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Ai gjithashtu theksoi se megjithatë nuk mund të mohohen të vërtetat në shqetësimet e presidentes Osmani.
“Ai momentalisht është prej më të mirëve në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Por nuk do të thotë se nuk ka të vërteta edhe në atë që e thotë presidentja”, u shpreh ai.
Koci është deklaruar edhe rreth pohimeve të Lëvizjes Vetëvendosje se Laban punon për BIA-n dhe se ka raporte me Milan Radoiçiq, të kërkuarin e Kosovës për sulmin në Banjskë në shtator të vitit 2023.
Avokati kosovar pohoi se po të largohet Laban në vend mund të mos jetë funksionale Gjykata Kushtetuese.
“Unë po i jap kështu informatat e pastra, konkluzionet ju i nxirrni vet. Kjo në këtë formë nuk është në rregull, dhe sidomos nuk është në rregull reagimi i presidentes duke e pasë parasysh se Gjykata Kushtetuese e ka kuorumin minimal për veprim me 7 gjyqtarë. Zakonisht janë nëntë, por dy nuk kanë mbërri për shkak të neglizhencës së deputetëve të Kuvendit, kështu po e them më së buti. Momentalisht janë shtatë, po të tërhiqet njëri, në çfarëdo forme mos me qenë në funksion gjyqtari Laban, ne nuk kemi as Gjykatë Kushtetuese më”.
“Kjo komplet paralizohet Gjykata Kushtetuese, nuk kemi Kuvend, Qeveria është në detyrë, dhe absolutisht ne i dëshmojmë botës se nuk jemi në gjendje të mbajmë shtetin, dhe kjo është e papranueshme”, tha Koci./Indeksonline/