19:21 / E Martë, 30 Gusht 2022 / Gj. Sh

Koci: Të miturit s’dënohen me mbi 10 vjet burgim

Avokati Arianit Koci ka treguar në Frontal të T7 dënimet me të cilat mund të përballen pesë personat që dyshohet se e dhunuan një 11-vjeçare në Prishtinë.

Tre prej të dyshuarve për dhunimin thuhet se janë nën 18 vjeç dhe për ta, Koci tha se sipas ligjit s’mund të ketë dënim mbi 10 vjet burgim.

“I mituri në asnjë rast nuk mundet me u dënu mbi 10 vjet”, tha Koci.

Avokati ritheksoi se pavarësisht rrethanave dhe veprave, një i mitur në Kosovë s’mund të dënohet me më shumë se 10 vjet burgim.

“Madje nën moshën 14-vjeçare nuk ka fare përgjegjësi penale”, tha ai.

Koci tha për dy nga të dyshuarit që janë mbi 18 vjeç, nëse vërtetohet vepra, parashikohet dënimi prej 15 vjet burgim minimum, deri në burgim të përjetshëm.

“Te këta mbi 18 vjet, nëse vërtetohet, 15 vjet është minimumi deri në burgim të përjetshëm. Tash aty këqyren rrethanat konkrete”, tha Koci.

Avokati theksoi se nga analiza e tij për rastin ka pasur shumë pikëpyetje, ndërsa përsëriti dyshimin e tij se edhe dikush tjetër është i përfshirë në këtë rast.

“Unë e kam analizuar këtë rast. Kam shumë pikëpyetje. Besoj që këtu ka me dalë që edhe dikush tjetër ka përgjegjësi”, tha Koci