23:20 / E Shtunë, 30 Tetor 2021 / OSH

Koeman ikën, kriza mbetet, Barça ngec edhe ndaj Alavesit

Ronald Koeman u largua, pro kriza te Barcelona mbetet ende, pasi katalanët nuk ia dalin të shkojnë përtej barazimit 1-1 ndaj Deportivo Alaves, duke marrë një pikë që i lë përkohësisht në vendin e 9 me 16 pikë, 9 më pak se Reali i Madridit që kryeson.

Një pjesë e parë me shumë dëshirë për katalanët, por pa qartësinë e duhur në sulm, teksa gjërat u komplikuan më shumë në minutën e 41-të, kur Sergio Aguero u largua i dëmtuar, për t’i lënë vendin Philippe Coutinhos.

Sfida u zhbllokua në minutën e 49’ dhe autori i golit ishte holandezi Memphis Depay, i cili është i vetmi që nuk po stonon në këto ditë të vështira për “blaugranat” dhe këtë herë shfrytëzoi një pasim të Jordi Albës për të dërguar topin në rrjetë.

Megjithatë festa në “Camp Nou” zgjati vetëm tre minuta, pasi më pas ishin miqtë ata që rikthyen heshtjen, duke shënuar golin e barazimit me anë të Riojas, i cili shfrytëzoi asistin e Joselu.

Trajneri Sergi Barjuan provoi të freskojë skuadrën, por në pankinë kishte shumë pak eksperiencë për të hedhur në fushë dhe të rinjtë e zgjedhur prej tij nuk arritën të çajnë mbrojtjen e ngjeshur të Alaves dhe tani e shohin veten gjithnjë e më larg kreut.