“Koha ta tregojë historinë time”, Michael Douglas nënshkruan për një autobiografi
Michael Douglas thyen akullin dhe shkruan një autobiografi.
“Është koha të tregojë historinë time”, tha aktori 81-vjeçar fitues i çmimit “Oscar” në një deklaratë zyrtare.
Kujtimet, aktualisht pa titull, të shkruara bashkë me gazetarin Mike Fleming Jr., do të publikohen nga Grand Central Publishing më 6 tetor. Botuesi shpjegoi se “për herë të parë, Douglas është gati të ofrojë një rrëfim të pafiltruar të jetës së tij me një autobiografi që gjurmon udhëtimin e tij që nga ditët e para, në hijen e babait të tij Kirk Douglas, deri te fama”.
“Nuk është si një film i suksesshëm, as versioni i formësuar nga titujt kryesorë dhe shifrat e shitjeve në biletari”, thekson aktori, “por do të jetë një histori e vërtetë. Kam jetuar një jetë publike, por në të njëjtën kohë shumë private, dhe ka një ndryshim. Këto kujtime tregojnë, për çfarë luftova dhe çfarë zgjodha për veten time. Popullariteti mund ta errësojë të vërtetën, kjo është përpjekja ime për ta sqaruar”.
Në libër, Douglas diskuton, ndër të tjera, betejën e tij me kancerin dhe martesën e tij me Catherine Zeta-Jones, e cila është rreth 25 vjet më e re se ai. Çifti u martua në vitin 2000 dhe pavarësisht skeptikëve, bashkimi i tyre është një nga më të qëndrueshmet e Hollivudit. Gjatë karrierës së tij, aktori ka fituar dy çmime Oscar, si producent për filmin e Milos Forman “One Flew Over the Cuckoo’s Nest” dhe si aktori më i mirë për filmin e Oliver Stone “Wall Street”, katër çmime Golden Globes, një BAFTA dhe një çmim Emmy. Ai gjithashtu ka një yll në Hollywood Walk of Fame.

