Kohë pandemie / Fluks i madh i qytetarëve për tu pajisur me dokumente, flasin zyrtarët e administratës së Prishtinës

Numri i madh i qytetarëve dhe tollovia e krijuar mëngjesin e sotëm në komunën e Prishtinës për tu pajisur me dokumente të ndryshme, e për të cilën raportoi IndeksOnline, ka shqetësuar edhe zyrtarët e kësaj komune.
Drejtoresha e Administratës në Komunën e Prishtinës, Vasilika Zotaj- Asllani, në një prononcim për IndeksOnline ka thënë se ka inspektuar këto hapësira siç edhe bën rëndom çdo ditë të punës, për të parë nga afër se si qëndron situata dhe se sipas saj, ajo çka është më e rëndësishmja qytetarët janë të pajisur me maska si veprimi kryesor mbrojtës kundër Covid-19.
Ndërsa ka thënë se tërë ditën japin 200 numra për të gjithë qytetarët që duan të pajisen me dokumente nga komuna e Prishtinës, si për tatim e të ngjashme, e që zakonisht në muajt e verës shtohen kërkesat për tu pajisur me to.
“Ne e kemi bërë se më shumë se 200 numra nuk japim në ditë, me qëllim që të zvogëlojmë numrin e palëve, por tani me fillimin e vapës dhe nuk po mundemi t’i lëmë, dikush ankohet se janë plakë, nuk po rri dot përjashta, po bie dielli edhe ata po i fusim brenda, por kryesorja nuk e lëmë askënd pa maskë”, tha Zotaj- Asllani.
Ajo tutje ka thënë se komuna është pajisur me ekstra maska, në mënyrë që çdo qytetar që vjen në komunë e nuk ka maskën me vete, të mos e kthejnë prapa, por ta pajisin me të para se të hyjë brenda objektit të komunës.
Drejtoresha Zotaj- Asllani, tregon tutje për IndeksOnline se brenda komunës i lejojnë vetëm 15 palë, aq edhe sa është kapaciteti i zyrave ku qytetarët shkojnë për tu pajisur me dokumente për tatim në pronë, kryerje të shërbimeve komunale e të ngjashme.
“Mendoj që kryesorja është maska dhe e kemi bërë si rregull që vetëm 15 palë t’i lëmë brenda. Kapaciteti i zyrave pritëse tona mund ta përballojnë këtë numër me distancën e nevojshme ndërmjet njëri tjetrit. Ka raste që shkelet distanca, kur vijnë nga një familje ata rrinë afër njëri tjetrit, por maska është lloj garance për mos infektim”, theksoi ajo.
Në anën tjetër e pranon se situata është vështirë e menaxhueshme për shkak të fluksit të madh të qytetarëve gjatë këtyre ditëve të fundit.
“Vapa e bën të vetën, mirëpo gjithmonë jashtë ka palë që presin. Megjithatë fluksi i qytetarëve është shumë i madh”, nënvizoi ajo.
IndeksOnline ka raportuar se në mëngjesin e sotëm hapësirat e objektit të vjetër të komunës së Prishtinës, ishin të stërmbushura me qytetarë të cilët kishin shkuar për tu pajisur me dokumente të ndryshme, duke mos respektuar kështu distancën, në kohën kur numri i të prekurve me Covid-19 në tërë vendi vazhdon të jetë i lart./IndeksOnline/