18:17 / E Diele, 12 Korrik 2020

Kohë pandemie, Prishtina thuajse e braktisur!

Sot është dita e 120 që nga momenti kur në Kosovë u konfirmuan rastet e para të personave të prekur me virusin COVID-19.

Pikërisht në këtë ditë numri i të infektuarve me koronavirus është 4 mijë e 715 persona, ku si pasojë e luftës me këtë virus humbën jetën 101 qytetarë të Kosovës.

Javët e fundit ishin mëse të vështira për të gjithë qytetarët, por edhe për institucionet e vendit ku numri i të infektuarve si dhe viktimave pati ngritje të jashtëzakonshme.

E në një të diele korriku, Prishtina duket thuajse e gjitha e braktisur. Në rrugë të shumta të kryeqytetit sot mund të hasësh në pak njërëz, e edhe më pak vetura.

Në disa fotografi të Indeksonline shihet qartë se shumë prej qytetarëve po zgjedhin që të qëndrojnë të mbyllur, duke e mbajtur kështu edhe mundësinë e përhapje së virusit sa më larg.

Pak më parë, kryeministri i vendit, Avdullah Hoti mbajti një konferencë për media ku ndër të tjerash bëri të ditur se nuk do të shpallet ‘Gjendje e Jashtëzakonshme’ së paku brenda disa ditëve, por që në mbledhjen e sotme do të ndërmerren masa edhe më rigoroze sa i përket luftimit të këtij virusi.

Pandemia e njohur si COVID-19 ka prekur gjithë botën, e siç duket Kosova tashmë gjendet në një prej fazave më të vështira që kanë të bëjnë me këtë virus.

Mbetet të shihet saktësisht se cilat do të jenë masat e radhës të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, teksa qytetarët këshillohen të vazhdojnë të vendosin maska, të mbajnë higjienën dhe të respektojnë distancën mes njëri-tjetrit, në mënyrë që të kujdesen për veten, prindërit por edhe gjithë vendin./Indeksonline/