75 Mall Live Search
10:21 / E Hënë, 27 Qershor 2022 / MSH

KOK nikoqir i mbledhjes së ardhshme të Komitetit Ekzekutiv të Lojërave Mesdhetare

Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG), në mbledhjen e fundit, ka vendosur t’ia besojë Komitetit Olimpik të Kosovës, organizimin e mbledhjes së ardhshme të Komitetit Ekzekutiv të ICMG-së.

Njoftimi është publikuar edhe në uebfaqen zyrtare të ICMG-së, ku thuhet se mbledhja e ardhshme do të mbahet në muajin dhjetor të këtij viti në Prishtinë.

“Ky besim vjen edhe si rezultat i angazhimit tonë për të pasur rol të rëndësishëm në organizatat ndërkombëtare, siç janë edhe emërimi i stafit tonë në komisione të ICMG. Falënderoj Komitetin Ekzekutiv të ICMG-së për mundësinë e dhënë, për çka besoj se do të kemi një organizim shembull edhe për vendet tjera”, tha presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi.

Kjo është hera e parë që KOK-ut i besohet një mbledhje e nivelit të tillë nga organizatat e mëdha ndërkombëtare sportive.