19:54 / E Mërkurë, 28 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Kokaina në Durrës, shërbimet britanike raportuan për ngarkesat nga Amerika Latine

Kapja e 613 kilogramëve kokainë në Durrës ka qenë pjesë e një rrugëkalimi të njohur për shërbimet e huaja. Veç shkrimeve të shumta të mediave të huaja, bandat shqiptare që furnizohen me kokainë nga Amerika Latine përmenden në raportin e NCA, (Agjensia Kombëtare e Krimit) për vitin 2017.

Në pjesën ku fliten për drogën në Britaninë e Madhe, shqiptarët janë të parët që përmenden, si një grupim i fuqishëm, si shtrirë në të gjithë vendin dhe që kanë krijuar lidhje direkte me furnizuesit e kokainës nga Amerika Latine.

“Grupet kriminale shqiptare kanë krijuar një profil me inluencë brenda krimit të organizuar në Britaninë e Madhe dhe kanë një kontroll të konsiderueshëm të trafikut të drogës në tregun e kokainës. Kriminelë nga Ballkani po e zgjerojnë rrjetin e tyre të influencës, duke krijuar marrëdhënie me furnizuesit e kokainës nga Amerika Latine. Kërcënimi nga grupet kriminale shqiptare është thelbësor. Londra është qendra e tyre kryesore, por ato janë të shtrirë në të gjithë Britaninë” thuhet në raportin e vitit të kaluar”.

Në një shkrim të Evening Standard pak kohë më parë, gazetari i Xhastin Davenport shkroi se NCA, Agjensia Kombëtare e Krimeve “ka dërguar në Shqipëri dy oficerë britanikë që mbledhin informacion për krimin e organizuar, por lidhjet e ngushta familjare e bëjnë të vështirë infiltrimin mes klaneve të drogës”

Në artikull shkruhej se një kontakt nga Shqipëria ka thënë për gazetarin britanik se “Krimi i organizuar shqiptar ka krijuar rrjete të mirëfillta në Europë, në veçanti në Spanjë, në Hollandë, Itali dhe Belgjikë. Ata panë një shans në Britaninë e Madhe dhe janë shtrirë edhe atje për shkak të tregut të madh të kokainës. Shumica e korrierëve të drogës janë emigrant ilegalë, që mbërritën në Britani për një jetë më të mirë dhe kanë paguar 12 mijë paund për t’u futur në Britani. Ata janë në borxh me trafikantët, ndaj bëhen pjesë e rrjeteve të drogës”./syri.net