Kolgeci: Arrestimi i 12 zyrtarëve të ATK-së ishte skenar i orkestruar dëmi real iu shkaktua buxhetit nga rikontrolli i dytë
Ish-kryetari i Bordit të pavarur për rishqyrtimin e ankesave, Skender Kolgeci, ka akuzuar ish-menaxhmentin e ATK-së për manipulime, shkelje ligjore dhe veprime, të cilat kanë shkaktuar dëmin real ndaj buxhetit të Kosovës.
Sipas tij, zyrtarët e arrestuar të ATK-së në janar 2024 nuk kanë kryer dëmtim buxhetor, ndërsa fshirja e ngarkesës tatimore prej mbi 3.8 milionë euro për biznesin “Blueplan” në rikontrollin e dytë përbën shkelje të rëndë ligjore.
Kolgeci thekson se të arrestuarit e ATK-së kanë eliminuar të gjitha 23 faturat fiktive të “Batatina”-s me vlerë mbi 18 milionë euro, dhe e kanë ngarkuar biznesin “Blueplan” me TVSh prej mbi 3.8 milionë euro, ndërsa kanë aprovuar kreditimin prej 2.7 milionë euro për “Lakeside”, biznes i të njëjtit pronar.
Sipas tij, ri-kontrolli i dytë i ATK-së, i kryer në tetor 2021, në kundërshtim me vendimin përfundimtar të Divizionit të Ankesave dhe gjykatave duke e ka fshirë ngarkesën tatimore prej 3.8 milionë euro, njëkohësisht ka fshirë edhe kreditimin 2.7 milionësh, duke shkaktuar dëmtim neto të buxhetit mbi 1 milion euro.
Në konferencën e 11 janarit 2024, ish-udhëheqja e ATK-së dhe ish-prokurori i rastit deklaruan se me arrestimin e zyrtarëve ishte penguar rimbursimi i 2.7 milionë eurove për “Lakeside”. Kolgeci kundërshton kategorikisht këtë deklarim ku sipas tij, urdhri përmbarimor për rimbursim ishte bllokuar më 26 maj 2021,
Gjykata Komerciale e kishte anuluar tërësisht më 23 tetor 2023, prandaj procesi i rimbursimit nuk ka mundur të ekzekutohej, ndërsa arrestimet ndodhën vetëm më 9 janar 2024. “Nuk ka pasur asnjë rrezik real për buxhetin. Urdhri përmbarimor ishte i anuluar nga gjykata shumë kohë para arrestimeve” thekson ai.
Kolgeci thotë se ish-menaxhmenti i ATK-së ka shmangur përmendjen e faktit thelbësor: “Zyrtarët e arrestuar e kishin ngarkuar ‘Blueplan’-in me mbi 3.8 milionë euro tatim. Këtë borxh e fshiu ri-kontrolli i dytë, në kundërshtim me të gjitha dispozitat ligjore”.
Sipas tij, Ligji tatimor i Kosovës dhe direktiva e BE-së për TVSH-në nuk lejojnë fshirjen e ngarkesave tatimore për transaksione fiktive, përveçse pas skadimit të afatit 6-vjeçar të inkasimit.
Ish-prokurori kishte deklaruar se zyrtarët e arrestuar “kanë legjitimuar fatura fiktive”.
Kolgeci thotë se provat tregojnë të kundërtënasnjë nga 23 faturat fiktive nuk është pranuar, të gjitha janë eliminuar nga zyrtarët e arrestuar, dhe pikërisht nga eliminimi i tyre ka ardhur ngarkesa 3.8 milionë euro.

